Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur një inspektim në Gjykatës së Kavajës pas vendimit të dhënë 2 vite më parë për Fadil Kasemin, i cili pak ditë më parë vrau ish-bashkëshorten e tij Fildeze Hafizi me armë zjarri në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.
KLD ka nisur një verifikim ndaj vendimit të tre gjyqtarëve të Kavajës, që dënuan me tre vite burg Kasemin më 28 prill 2016. Kasemi më pas përfitoi nga amnistia, e cila e la të lirë në fillim të këtij viti.
Tre gjyqtarët që do të inspektohen nga KLD janë Eda Kaja, Luan Lusha dhe Markelian Koço, raporton gazetarja Klodiana Lala. Dy inspektorë do të tërheqin dosjet nga Gjykata e Kavajës për të parë nëse është zbatuar si duhet ligji.
Ngjarja e vitit 2015-të kur Fadil Kasemi tentoi ta vriste ish-bashkëshorten gjyqtare në një restorant në Golem nuk u klasifikua si tentativë vrasje, por për “mbajtjen pa leje të armëve luftarake” dhe të “dhunës në familje”.
Ish-bashkëshorti i gjyqtares u dënua për “armëmbajtje pa leje në banesë” që dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg, dhe jo për “arëmbajtje pa leje në makinë apo ambiente publike” që dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg.
Fadil Kasemit në vitin 2015-të iu gjet një armë e rregullt për të bërë qitje në çantën e tij, të cilën ia la në dorëzim pronarit të hotelit.
Një tjetër lehtësi që çoi në lirimin e Kasemit ishte fakti që ka disa familjarë të papunë, ndërkohë që rezulton se është tregtar i fuqishëm dhe ka një dyqan në pronësi të tij tek “tregu çam”.
Të gjitha këto bënë që ish-bashkëshorti i gjyqtares të përfitonte nga amnistia dhe të lihej i lirë.