Partia Demokratike përshëndeti ditën e djeshme deklaratën e ambasadorës së Bashkimit Europian, Romana Vlahutin e cila tha se nuk do të ketë negociata me BE – në, pa luftë kundër drogës. Në reagimin e selisë blu thuhet se më në fund ambasadorja u tha Shqiptarëve të vërtetën që PD e ka thënë për 3 vite, që nuk do të ketë negociata pa u ndalur kanabisi.Më tej në deklaratë theksohet se me emërimin e Fatmir Xhafës në ministrinë e Brendshme dhe të Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, kryeministri konfirmoi mbështetjen e tij për drogën.“ Partia Demokratike përshëndet deklaratën e Ambasadores së BE-së Vlahutin se çelja e negociatave ka si kusht luftën kundër kanabisit. Më në fund, Ambasadorja u tha shqiptarëve të vërtetën të cilën kryetari Basha dhe Partia Demokratike e ka thënë çdo ditë për tre vjet: nuk mund të ketë çelje negociatash nëse nuk ndalet kanabisi. Kjo do të thotë se ecuria e integrimit europian është mbajtur dhe po mbahet peng nga vetë Edi Rama. Fatkeqësisht, emërimet në krye të Kuvendit dhe të Ministrisë së Brendëshme, Edi Rama rikonfirmoi mbështetjen e tij për drogën dhe krimin. Në këto kushte, ka vetëm një mundësi për të ardhmen tonë europiane: të bëhemi të gjithë bashkë kundër drogës dhe krimit,” – thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Demokratike.