Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8 ballë ka goditur Paqësorin në bregun jugor të Meksikës, ndërsa menjëherë u dha alarmi për një cunam. Autoritetet konfirmojnë të paktën 4 viktima.
Ndonëse epiqendra e tërmetit është 120 km në jug-perëndim të qytezës së Pijiapan dhe me thellësi 35 km, tërmeti u ndje deri në kryeqytetin e Meksikës, Meksiko Siti, ku njerëzit dolën të tmerruar nëpër rrugë.
Në pamjet e para që sjell “Daily Mail”, toka dridhet aq fort sa tunden ndërtesat, ka shkatërrim, panik e njerëz që vrapojnë. Nëpër rrugë është krijuar një kaos i vërtetë, ndërsa frika është e madhe se pas tërmetit mund të vijë një cunami që do prekte Meksikën, Guatemalën, El Salvadorin, Kosta Rikën, Nikaraguan, Panaman dhe Hondurasin.
Sipas dëshmive të para të banorëve, një tërmet kaq i fortë ishte ndjerë vetëm më vitin 1985. Tërmeti i atëhershëm pothuajse e ka rrafshuar Meksiko Sitin duke lënë pas mijëra viktima.