Detajet/ Jahti me 4 tonë kanabis, ku po heton policia. Dyshimet nga u nis

0
192

Disa ditë pas kapjes së tre shqiptarëve me 3.9 tonë drogë në një jaht në brigjet e Italisë, Policia referon dosjen e ngjarjes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, shkruan “Panorama”. 

Mësohet se vonesa në referimin e çështjes penale në Prokurori ka ndodhur pikërisht për shkak të pretendimit të Policisë se “ngjarja nuk kishte lidhje me Shqipërinë”. Shtetasi Flamur Mema, 54 vjeç, ka qenë drejtues i jahtit të mbushur me drogë, ndërsa ai është zgjedhur për drejtimin e mjetit në det pasi ishte pronar i një peshkarexhe në Durrës.

Ai ka qenë i dënuar më parë për trafik drogë dhe mendohet se është zgjedhur nga trafikantët për drejtimin e jahtit për shkak të njohjes së mjeteve detare. Në bordin e jahtit me 3.9 tonë kanabis u arrestuan në brigjet e Foxhias edhe shtetasit shqiptarë Erinaldo Mezhika dhe Elidon Vladi, roli i të cilëve po hetohet.

Në referimin e bërë nga Policia në Prokurori, parashtrohet ngjarja e ndodhur, por nuk jepen referenca për origjinën e drogës, pikënisjen e jahtit apo të trafikantëve.

LEZHA APO SHKODRA

Policia italiane nuk i ka dhënë deri tani asnjë informacion Policisë shqiptare në lidhje me kapjen e jahtit me drogë, me përjashtim të fakteve që janë bërë publike në media. Mbajtja e hetimit në sekret të plotë nga ana e Policisë italiane, duket se ka lidhje me zbardhjen e krejt rrjetit të trafikimit, që në këtë rast vuri në lëvizje një ngarkesë me vlerë rreth 4 milionë euro.

Nga ana tjetër, informacionet operative në Shqipëri flasin për një nisje të drogës nga zona e Lezhës apo Shkodrës, me një mjet më të vogël se jahti. Mjeti në fjalë mendohet se ka bërë 2 apo tri rrugë, nga bregdeti shqiptar deri te skafi që priste në det të hapur. Lënda narkotike mendohet se është ngarkuar në jaht mbrëmjen e 4 shtatorit 2017.

Mjeti lundrues ishte marrë me qira në Mal të Zi nga tre shqiptarët, të cilët, pasi kanë nisur lundrimin, në kuvertën e mjetit kanë vendosur një flamur amerikan, me të cilin kanë lundruar deri në ujërat ndërkombëtare. Policia shqiptare në një informacion të dhënë për këtë rast, ka mohuar që droga të jetë nisur nga vendi ynë.

Mjeti lundrues u kap në ujërat territoriale italiane, në zonën e Viestes. “Hetimet paraprake tregojnë se ky mjet lundrues nuk ka shkelur ujëra shqiptare. Rezervohemi për të tjera informacione për shkak të sekretit hetimor”, thuhet në deklaratën e Policisë shqiptare të publikuar pas kapjes së 3.9 tonëve drogë në Itali.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here