Pesë vajzat e dyshuara si prostituta virtuale janë rrëfyer për hetuesit, pasi u arrestuan disa ditë më parë nga operacioni policor i koduar “Chat line 3”. Në deklarimet e tyre paraprake, ato kanë rrëfyer me detaje mënyrën se si ishin rekrutuar në rrjet dhe për mënyrën e funksionimit të tij.
Aktualisht, ato po hetohen në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për akuzën e prostitucionit. Sipas Prokurorisë, vajzat prej disa kohësh ofronin shërbime seksi online, biseda dhe veprime seksuale para një web-kamere, përmes një faqeje interneti nga ambientet e një apartamenti të marrë me qira nga Dafina Tresa dhe Artur Bakalli.
Dy të fundit po hetohen përkatë- sisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “arrest në burg” për akuzën e “mbajtjes së lokaleve për prostitucion” dhe për “shfrytëzim të prostitucionit”. Prokuroria e Tiranës ka dyshime se studioja e zbuluar është vetëm një nga shumë të tjera të këtij lloji në Tiranë. Operacioni “Chat line 3” u finalizua të mërkurën e kaluar. Në shtëpinë me qira të përshtatur si studio erotike, policia sekuestroi 9 kompjutera me kamera për komunikim video-online, dy laptopë dhe 16 lodra plastike seksi.
BRITANIKU I VETMUAR
Vajza, e cila siguronte më shumë fitime se shoqet e saj të së njëjtës studioje erotike, ka rrëfyer se klienti i saj më i rregullt ishte një shtetas britanik. “Ai ishte një njeri tejet i vetmuar. Më kontaktonte shpesh dhe kërkonte të qëndronte gjatë në linjë. Kërkonte t’i flisja me fjalë të pista dhe të bëja veprime të ndryshme seksuale për të”, ka rrëfyer ajo para hetuesve. Sipas Prokurorisë, vajza në fjalë, e cila ishte e preferuara e britanikut të vetmuar, siguronte fitime që kapnin shifra deri në 4 milionë lekë të vjetër në një muaj.
REKRUTIMI
Sipas rrëfimeve të administruara nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore, vajzat janë vënë në dijeni të punës në studion erotike përmes njëra-tjetrës. “Ishte një shoqe që ma propozoi këtë punë. Nuk e dija saktësisht se ç’do bëja. Më tha, hajde se do të fitosh mirë. Unë kisha nevojë për para”, ka rrëfyer njëra prej vajzave. Nga dëshmitë e të rejave, kryesisht studente, ka rezultuar se pasi shkonin në studion e 33-vjeçares Dafina Tresa, ishte kjo e fundit që merrte situatën në dorë. “Ishte ajo që na hapte një llogari në faqen “Adult work” me një pseudonim, numrin e llogarisë, ku klientët paguanin me kartë dhe na tregonte se ç’duhet të bënim”.
Ato kanë rrëfyer edhe si e maskonin para familjarëve të tyre punën që bënin. “Familjeve u kemi thënë që punojmë në CallCenter dhe që flisnim me të huaj. Ata nuk e dinë se çfarë bënim në të vërtetë”, kanë dëshmuar ato.
DY MOTRA
Dy nga pesë vajzat e arrestuara dhe më pas të lëna në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” nga Gjykata, janë motra me njëra-tjetrën. Fillimisht, në rrjet është përfshirë motra e madhe, 20 vjeçe. Referuar deklarimeve të tyre, pas një fare kohe, ajo ka “futur në valle” edhe motrën e saj një vit më të vogël.panorama