Vjedhje vote? Mos bëhemi qesharakë! Ishte thjesht dhurata e parë!

0
359

Nga: Gëzim Saliu

Që prej ditës së djeshme, diskutimi kryesor në jetën politike të vendit është përqendruar tek votimi në Parlament për kreun e ri të Kuvendit Gramoz Ruci dhe rrjedhjen e votave nga Partia Demokratike në këtë proces. Nëse fillimisht rrjedhja u konsiderua nga disa përfaqësues “sefte” të PD-së si një skemë e vjedhjes së votave nga mazhoranca, tanimë, orë pas ore po vërtetohet  krejt e kundërta . Jo vetëm që votat nuk u vodhën, por po rezulton se disa demokratë ishin “bashkëpunues” me shumicën, duke ju përgjigjur përnjëherë thirrjes së djeshme të kryeministrit Rama, që kërkoi edhe votat e PD-së për Ruçin.  Tre përfaqësuesit e PD-së që dolën nga rreshti vërtetuan që në seancë e parë parlamentare, se grupimi opozitar është tërësisht i brishtë.

Ndonëse shumëkush me të drejtë po flet për shitje të deputetëve demokratë, mund të themi se uni-mazhoranca në këtë rast, ndryshe nga harxhimet me lopatë që pati në 25 qershor, nuk kishte pse shpenzonte asnjë kacidhe për palën tjetër për këtë votim. Kjo pasi, vetëm me numrat që disponon në Parlament, PS fare mirë e kalonte votimin e Ruçit edhe e vetme. Por me shumë mundësi, kanë qenë vetë renegatët e PD-së që i janë vetëofruar Ramës, për t’i treguar se janë kurdoherë të gatshëm për t’iu bashkuar në projektin për “punësim e mirëqënie”. Dhe në fund të fundit, dhuratat nuk i refuzon as mbreti. Aq më tepër që kështu Rama tregoi forcën në Parlament, duke vërtetuar se e ka kurdoherë të lehtë për të siguruar vota nga krahu tjetër, edhe pse supozohet që ai krah të jetë kundërshtari politik.

Nga ana tjetër, diskutimi i rrjedhjes së votave tek demokratët, prek detyrimisht edhe debatin mbi përbërjen e grupit të ri parlamentar të PD-së. Kështu, “dhurata” nga deputetët demokratë nuk do bëhej kaq lehtë, nëse litari do ishte i shtrënguar brenda rradhëve të grupit kuvendor. Vërtet, gjatë këtyre 27 viteve pluralizëm, është hasur dendur si fenomen shitja e votës brenda Parlamentit. Por duhet nënvizuar fakti se kjo gjë ka ndodhur në rastet kur votimi është zhvilluar për çështje që kishin domosdoshmëri numrat e palës tjetër, kushdoqoftë ajo ( gjithsesi edhe në këtë rast trafikimi i votës mbetet sërish i dënueshëm).

Por të japësh votën për kundërshtarin politik në votimin për kreun e ri të Kuvendit, kur këtij të fundit i mjaftonin edhe votat brenda PS-së, vërteton se grupi i ri parlamentar i PD-së fut ujë nga të gjitha anët. Dhe për këtë, përgjegjësia më e madhe bie mbi lidershipin, i cili ashtu sic mori përgjegjësinë individuale kur zgjodhi listën e kandidatëve për deputetë, duhet që edhe tani të marrë përgjegjësi e të veprojë sa më shpejt për të ndalur hemoragjinë e grupit demokrat. Në të kundërt, nëse e tejkalon këtë çështje me qortime sa për të kaluar rradhën, atëherë dyshimet e hedhura prej 18 majit, ndaj lidershipit të PD-së lidhur me marrëveshjen me kryeministrin, do të marrin besueshmëri më të madhe.

Koha është për të treguar se opozita është reale e ballore dhe jo dredharake e në favor të interesave klienteliste. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kjo dhuratë e parë me tre “rrjedhës” nga grupi parlamentar, me siguri do pasohet nga shumë të tjera në katër vitet që na presin nën diktatin e mono-mazhorancës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here