Shpërthen Patozi: Demokratët s’e meritojnë këtë përfaqësim poshtërues

0
170

Përgjegjësinë për demokratët që votuan Gramoz Ruçin si kryetar të parlamentit, Astrit Patozi ia faturon vetëm Lulzim Bashës. Sjell në vëmendje dorëheqjen e Ben Blushit nga drejtimi i grupit të PS në 2007, kur 5 socialistë votuan Bamir Topin president, për të treguar se ku është katandisur Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës.

“3 “antikomunistët e tërbuar”, që votuan dje ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, ishin ekskluzivitet i kryetarit aktual të Partisë Demokratike. Ata i përkisnin listës fituese Basha, e cila u shpall me aq bujë dhe me aq vendosmëri, e cila ishte, sipas tij, jo vetëm më e mira dhe më përfaqësuesja, por ajo do të hidhte edhe themelet e Republikës së Re. Dje e kam frenuar shumë veten të mos flisja, ngaqë mendova se ngjarja ishte aq e rëndë, sa turpëronte pafund çdo anëtar të Partisë Demokratike”.

Edhe për deklaratat e disa deputetëve, se votat u vodhën në parlament, ish – Nënkryetari i demokratëve tregon me gisht Bashën.

“Kur shikoj se kjo “vjedhja” e votës është shndërruar në qëndrim zyrtar të partisë sime, nuk rri dot pa thënë se ky është fundi i çdo skrupulli dhe morali në politikë. Lulzim Basha duhet ta kursente këtë palaçollëk, sepse ajo është poshtëruese për ata 450 mijë shqiptarë, që me gjithë zhgënjimin e tyre të madh, sërish shkuan të votojnë siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit. Është më e pështirë edhe se vetë rrjedhja e votave, që në kontaktin e parë me parlamentin nga lista “e shkëlqyer” Basha. Ajo është fyese për inteligjencën e cdo shqiptari, që ka një minimum respekti për të vërtetën, aq më tepër kur ajo konsumohet në sytë e të gjithëve. Por çdo sharlatan, që do t’i bjerë kësaj daulleje, në mungesë dhe me porosi të Lulzim Bashës, duhet të dijë gjithashtu se PD, që përfaqësohet kaq keq sot prej tyre në parlament, nuk ka detyrim vetëm ndaj demokratëve”.

Ish – nënkryetari i demokratëve thotë se as varianti i vjedhjës së votës nuk e shpëton Bashën.

“Dikush duhet t’u thotë këtyre kretinëve politikë, se edhe sikur të ishte e vërtetë që 3 votat opozitare për komunistin e tmerrshëm Gramoz Ruçi të ishin vjedhur, ato nuk e shpëtonin dot faqen e Lulzim Bashës dhe të Partisë Demokratike, që drejtohet ende prej tij. Sepse, nëse kundërshtari arrin të t’i marrë votat edhe në sallën e Kuvendit, kur ti je i pranishëm me të gjithë deputetët e tu, i bie që të mos dalësh më kurrë në fushatë, se nuk ka idjot në Shqipëri që mund ta çojë ndërmend të votojë më për ty”.

Patozi thotë se ka disa variante për atë që ndodhi në parlament, përfshirë edhe miqësinë familjare të Bashës me Ruçin. Për të, ajo që po ndodh, nuk është e rastësishme dhe se sot më shumë se kurrë nuk ka më demokrat që t’i besojë Lulzim Bashës.

“Dikush tjetër tha se një nga deputetët “e shitur” ka qenë vetë Lulzim Basha, për shkak të miqësisë së njohur botërisht të familjes së gruas së tij me Gramoz Ruçin”. 

Jozefina Topalli po ashtu flet për lidhje miqësore të familjes Basha me Ruçin, në një reagim në faqen e saj në Facebook.

“Lulin dhe familjen e tij Isufi nuk e lidh asgjë me PD. Ata nuk kanë patur kurrë lidhje me këtë forcë politike deri në 2005. Dhe që nga ky vit, ai i vetëm e ka vjedhur atë deri më: 17-18 maj, kur kreu aktin e tradhëtisë ndaj demokratëve; më 21 maj kur shpalli si Sulltan Bashë Isufi listën e familjes dhe klientëve të saj; më 22 korrik kur vodhi karrigen e kryetarit dhe vulën e PD përmes falsifikimit të votave e pjesëmarrjes. E deri dje, kur i dhuroi Ruçit 3 vota nga lista e tij”.

 

Topalli thotë se 3 muaj më parë Basha çertifikoi shkrirjen e së djathtës. Për ish – nënkryetaren, kjo nuk është më Partia Demokratike dhe vendi ka mbetur pa opozitë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here