Është cilësuar si një nga bukuritë e Serie A. Ledian Memushaj, në ndeshjen e tij të parë me Beneventon shkëlqeu, aq sa mediat italiane e vendosin në të njëjtin nivel me yllin e Juventus, Dybala. Prania e tij në mesfushë solli dinamizëm dhe ekuilibër. Nga këmbët e mesfushorit të kombëtares shqiptare kaloi çdo aksion i skuadrës modeste, që këtë sezon do të luftojë për mbijetesën në shkallën më të lartë të kampionatit italian.
Në fitoren 2-1 të skuadrës së tij, peshën më të rëndësishme e pati portieri i kombëtares Etrit Berisha. Më i miri i Atalantas, është cilësuar. Edhe pse nuk pati shumë punë, ai u tregua vendimtar atëherë kur duhej duke shmangur gola të sigurt.
Thomas Strakosha është vlerësuar me notën 6 në performancën e tij teksa Lazio mundi Milanin 4-1. Strakosha nuk i shfaqi vlerat në këtë takim, jo sepse nuk ishte në formë, por sepse sulmuesit e Milanit ishin të paaftë ta vinin në vështirësi.