“KoKoFest 2017”/ Rikthehet “Festival i Komedisë”, një maratonë artistike në teatrot shqipfolës përtej kufijve

0
212

Irini Meçe

 

Rikthehet “Festival i Komedisë në Shqipëri”, një maratonë artistike me performancat më të mira nga trupat e njohur nga vendi dhe teatrot shqipfolës përtej kufijve. “Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë KokoFest 2017”nis më datë 17 në qytetin e Korçës dhe do të zgjasë deri më datë 23 shtator, duke shënuar kështu një event të madh artistik për jetën artistike dhe kulturore, por dhe për të gjithë artistët protagonistë të këtij aktiviteti teatror. Ky festival do jetë në këtë mënyrë një udhëtim drejt teatrot nëpër qytetet e Shqipërisë, por dhe jashtë kufinjve të saj. Do të jetë shfaqja “8 femrat” me regji nga Driada Dervishi që do të çelë pikërisht këtë festival në Korçë. “8 femrat” do të çelë edhe sezonin artistik në këtë mënyrë në teatrin e Korçës. Kjo komedi do të bëjë bashkë disa nga aktoret më të mira të kinematografisë shqiptare. Komedia “8 femrat” do të vijë e interpretuar nga Yllka Mujo, Olta Daku, Zamira Kita, Rajmonda Bulku, Merita Çoçoli si dhe brezi i ri i aktorëve. Tani, Yllka Mujo dhe Rajmonda Bulku, disa kilometra larg Pogradecit ku u xhirua Zonja nga Qyteti, janë sërish bashkë në një projekt artistik. I ka ritakuar komedia “8 Femrat”. Premiera e shfaqjes ‘8 femrat’ vjen më datë 16 dhe 17 shtator në ora 20:00, në Teatrin “Andron Zako Çajupi”, Korçë. Shfaqja “8 Femrat” do të vijë më pas edhe në Teatrin Kombëtar dhe në Teatrin e Durrësit.

Kjo shfaqje do të ndiqet nga komedia “Shtëpia pa dritare” në teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Komedi e shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo do të shfaqet më datën 18 shtator. Në kuadër të festivalit “KoKoFest 2017” do të rikthehet shfaqja ‘39 hapat’ në Teatrin e Metropolit në Tiranë më datën 19 shtator. Vepra e Patrik Barlow, është një përshtatje e romanit të John Buchan dhe filmit të  Alfred Hitchcock realizuar në vitin 1935. Publiku shqiptar do të ketë sërish mundësinë që të shohë se si katër aktorë portretizojnë 130 karaktere, shpesh herë të cilët i ndryshojnë rolet përpara syrit të spektatorit. Vepra ku interpretojnë aktorët Neritan Liçaj, Florian Agalliu, Donald Shehu dhe Jonida Vokshi është një histori brilante e heroit të pashëm Richard Hannay, i cili është në garë për të zgjidhur misterin e “39 Hapave”.

Por ky festival nuk do të qëndrojë vetëm brenda kufinjve shqiptarë, përkundrazi. “KokoFest 2017” do të udhëtojë edhe jashtë kufinjve, atje ku teatrot flasin shqip. Në datën 20 shtator në Teatrin Kombëtar në Shkup do të shfaqet “Shfaqja që shkon mbrapsht”. Një komedi që ka të bëjë më frikërat e aktorit para një premiere. Përpos Festivalit të Komedisë në Shqipëri, shfaqja “Tarufi” do të çelë edhe sezonin e ri artistik në teatrin “Migjeni” në Shkodër më 21 shtator. Shfaqja rrëfen për Orgonin, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si shenjt e njeri fetar. Me rolet e tyre në skenë për këtë shfaqje ngjitën aktorët: Laert Vasili, Ligoraq Riza, Justina Aliaj, Rajmonda Bulku, Vasjan Lame, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Niada Saliasi, Dasara Xhangolli, Genti Deçka, Mehdi Malka dhe Vangjel Toçe.

Një vepër e cila do të vijë si një tragji-komedi e trajtuar me disa njerëz që kafshërohen rrugës dhe disa kafshë qa kanë dëshirë që të bëhen njerëz, do të jetë pjesë e “Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë KoKoFest 2017”. Bëhet fjalë për shfaqjen “Ferma e kafshëve” me regji nga Erion Isai, e cila do të rishfaqet sërish në Teatrin Eksperimental në Tiranë më 22 shtator. Këtë udhëtim teatror do ta mbyll komedia “I ligu për mend”. Kjo shfaqje do të jepet në Teatrin Kombëtar në Prishtinë më 23 shtator duke shënuar në këtë mënyrë edhe përfundmin e “KoKoFest 2017”. “I ligu për mend”, paraqet Shqipërinë me problemet e veta të viteve ‘30-të, por në fakt ato probleme janë edhe sot. Teksti sjell diskutimet intelektuale apo diskutimet e mëdha sociale të asaj kohe mbi vlerat e shqipes, mbi atë se a duhet ndenjur në Shqipëri apo duhet ikur në perëndim, dhe sigurisht e gjitha kjo e veshur nën paranojën e personazhit kryesor që është Tukja. Aktorë në role janë Luan Jahja, Ernest Malazogu, Adrian Morina, Armend Baloku, Ard Islami, Shkëlzen Veseli, Basri Lushtaku, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here