Dreka mes kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe amabasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, ka përfunduar pas rreth 1 ore.
Dy zyrtarët u takuan rreth orës 13:00 të mesditës së sotme në një lokal në zonën e ish-Bllokut, pasi kreu i PD, Basha la seancën parlamentare. Nuk ka detaje në lidhje me çfarë është biseduar mes tyre. Vetë kryedemokrati refuzoi të jepte detaje nga takimi me Lu për mediat.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se marrëveshja e tij me Ramën e arritur më 18 maj, përfundoi me zgjedhjet e 25 qershorit. Teksa u shpreh se “thelbi i marrëveshjes së 18 majit ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, Basha tha se “Ndaj dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje”.
Ai tha se marrëveshjen e vranë shitblerja e votës dhe aleanca e Ramës me krimin.
“Aleanca e pandërprerë e Ramës me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen. Zgjedhjet rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës”, tha Basha.
Lideri opozitar pak më herët mbajti fjalimin e tij të parë në parlament dhe më pas ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara në nder të Azem Hajdarit, për 19-vjetorin e vdekjes së tij.