Rrëfimi/ Dritan Demiraj flet pa doreza: Pse nuk u ndjeva komod si ministër

0
239

Me betimin e ministrave të rinj, merr fund dhe detyra e ministrave teknikë. Ata sot do të bëjnë dorëzimin e detyrës tek pasardhësit e tyre. Ministri i Brendshëm në largim Dritan Demiraj në një rrëfim pa doreza për “BalkanWeb” thotë se nuk është ndjerë komod pasi i ka munguar bashkëpunimi.

Pak orë para se të bënte dorëzimin e detyrës tek pasardhësi i tij, Demiraj tregon për mediat  sesi është ndjerë në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Bashkëpunimi me mazhorancën nuk ka qenë i lehtë.

“Nuk është se jam ndjerë shumë komod, nuk kemi pasur bashkëpunim të sinqertë me strukturat qofshin ato vartëse qofshin ato eprore pra edhe në kryeministri. Por, unë falënderoj policinë, nivelet e ulëta deri në nivelet më të larta për punën, për përpjekjet. Policia ka brenda saj persona shumë të ndershëm, të përgjegjshëm për punën që kryejnë por sigurisht policia ka persona të cilët duhen larguar nga detyra”, deklaron prerazi Demiraj për “BalkanWeb”.

Zgjedhjet e lira dhe lufta kundër kanabisit ishin dy misionet e tij gjatë qëndrimit si Ministër i Brendshëm. Edhe pse beteja e parë u humb, në të dytën, rezultati është më i mirë se vitet e shkuara. Ministri teknik pohon se kultivimi i kanabisit këtë vit ka shënuar ulje.

“Po sigurisht është i ulët, madje jo vetëm është i ulët por edhe gjatë këtyre muajve të fundit ka pasur disa goditje, operacione të cilat në një pjesë të madhe të tyre kam qenë edhe unë prezent, jo në rolin operacional por si ministër”, thotë ai.

“Prodhimet e vjetshme që janë në sasi shumë të mëdha, të fshehura, sigurisht jo edhe pa dijeninë e policisë, duhet intensifikuar puna për goditjen e tyre edhe për kapjen e personave. Dhe në fakt policia kap vetëm persona të nivelit të ulët. Ka ardhur koha që të çohen para drejtësisë persona të cilët janë kryesorë në këtë trafik”, theksoi Demiraj, shkruan “BalkanWeb”.

Kolonel Dritan Demiraj do e presë ministrin e ri të Brendshëm Fatmir Xhafajn në zyrë për t’i dorëzuar zyrtarisht edhe detyrën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here