ZGJIDHJA kërkoi sot që importi i mbetjeve nga jashtë të ndalohet me kushtetutë, sepse Rilindja është e pabesë. Duke komentuar vendimin e shumicës në Kuvend që u tërhoq nga rikthimi i projektligjit të refuzuar nga ish-presidenti Nishani, partia e drejtuar nga Koço Kokëdhima deklaroi se vetëm kjo do t’i japë garancinë përfundimtare shqiptarëve se politikanët e paskrupullt nuk do të luajnë me jetën e popullit dhe fatet ekologjike të vendit, siç e duan interesat e tyre të ngushta dhe fitimet përrallore që nxjerr ekomafia.
Postimi në Facebook
Nën presionin e opinionit publik dhe të partive radikalisht kundër importit të mbetjeve si ZGJIDHJA, Rilindja duket se u dorëzua më në fund. Ajo është e gatshme që të tërhiqet nga iniciativa e turpshme e importit të plehrave në Shqipëri. Ne jemi të bindur se Rilindja po bën një tërheqie taktike e të pasinqertë vetëm për të vënë në gjumë opinionin publik dhe për të fituar kohë. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Rilindja do përpiqet sërish të gjejë ndonjë shteg për importin e plehrave. Prandaj ZGJIDHJA kërkon që importi i plehrave të ndalohet me kushtetutë. Vetëm kjo do t’i japë garancinë përfundimtare shqiptarëve se politikanët e paskrupullt nuk do të luajnë me jetën e popullit dhe fatet ekologjike të vendit, siç e duan interesat e tyre të ngushta dhe fitimet përrallore që nxjerr ekomafia!