26 -vjeçarja rrëfen jetën e saj, si kaloi nga arkitekte në zëdhënëse të PD-së në Shkodër e më pas në Kuvendin e Shqipërisë
Nga Ambrozia Meta
Seanca e parë plenare e votimit të Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, ishte një nga ditët më të vështira për deputeten e re të PD-së, Izmira Ulqinaku. Mbesa e dëshmorit Nazmi Kryeziu që mbeti i vrarë në masakrën e 2 prillit në Shkodër, nuk do ta mendonte kurrë që një ditë parlamenti ku ajo bënte pjesë do drejtohej nga ai që kishte qenë në krye të Ministrisë se brendshme, kur ndodhi vrasja e të afërmit të saj. “Për mua ishte shumë e vështirë seanca e parë, akoma më e vështirë ishte momenti kur u votua Gramoz Ruçi. Ishte një moment shumë prekës se unë po mendoja familjen time si ishte duke e përjetuar,” tregon 26-vjeçarja. Aq shumë e lëndoi ky emërim saqë edhe në seancën maratonë të kuvendit, disa ditë më vonë nuk arriti të fliste, pavarësisht se fjalimin e kishte shkruar vetë, madje edhe e kishte mësuar përmendësh. “Ne ishim në Kuvend që prej orës 9 të mëngjesit dhe mua më vinte radha nga mesi i natës për të folur. Aty i them kryetarit të grupit parlamentar, ma hiqni emrin sepse nuk do flas. Ndoshta nga lodhja, ndoshta nga stresi ndoshta sepse ishte ai kryetar, nuk arrita të flas. E kisha shumë të vështirë. Në momentin e parë që do marr fjalën në kuvend pavarësisht rendit të ditës unë do t’i them ca fjalë për kryetarin e parlamentit se në një vend demokratik, pas 27 vitesh demokraci, nga ana morale ai nuk duhet ta kishte pranuar”, – tregon ajo, ndërsa kapakët e syrit i mbushen me lot.
Ora 12: 30. Izmira sapo ka dalë nga një mbledhje e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese ku u diskutua për ligjin e mbetjeve. ” Për një orë e gjysmë, maksimumi dy, jam në Shkodër”- thotë. Vete dhe vjen përdite. Më shumë se një porosi e kryedemokratit Basha për të qëndruar afër me qytetarët është dëshirë e saj, të rrijë pranë tyre. ” Lodhem, por e shoh të arsyeshme të rri në Shkodër, për të qenë më afër me qytetarët, me shqetësimet e tyre. Është ndryshe t’ua qash hallin nga telefoni dhe është ndryshe t’i takosh.” Mban veshur një këmishe në ngjyre rozë dhe pantallona me kuadra gri. Nga profili simpatik dhe flokët me onde të kujton deputeten Tabaku ndërsa nga theksi i ëmbël i gegënishtes, ish – kryeparlamentaren Topalli. Jeta nuk i ka ndryshuar shumë që nga momenti që mori vesh që do ishte në lista. “ Më pëlqen ky ritmi i ri,më pëlqen t’u shërbej njerëzve, tu rri afër. Më pëlqen të mbaj shënim çdo hall të tyre dhe t’i përcjell shqetësimet e tyre në parlament,” – rrëfen ajo.
Për herë të parë hyri në Partinë Demokratike kur ishte 18 vjeç, në Forumin e Tiranës. Gjatë 5 viteve të studimit nuk ishte shumë aktive deri në momentin që u kthye në vendlindjen për t’i hyrë politikës seriozisht. “Me rikthimin në Shkodër, në bazë të asaj pak eksperiencë që kisha në Tiranë u futa në sektorin e grupi-seksionit ku dhe banoj dhe dhashë kontributin tim edhe në zgjedhjet e 2013 dhe në zgjedhjet lokale të 2015. Në fund të 2016- ës mu propozua të jem zëdhendëse e Partisë Demokratike në Shkodër. Pranova me kënaqësi pavarësisht se ishte e vështirë sepse duke qenë forcë opozitare, presionet dhe trysnitë ishin të shumta për një vajzë të re,” – shprehet Izmira.
Kur pa rrugët bosh të Shkodrës, atë të diel të 25 qershorit e ndjeu se Partia Demokratike po humbiste. “Në datë 25 unë e kam ndjerë humbjen. Qyteti ishte komplet bosh. Qarkullonin makina të blinduara. Unë me sytë e mi nuk i kam parë lekët, por nga mesazhet e shumta nga telefonat që më vinin, njerëzit më thoshin hajde se po shpërndajnë lekë. Polici nuk ka pasur fare. Kemi parë plot kriminelë të dalë nga burgu. Unë e kam ndjerë humbjen, vetëm nga vjedhja e votës vetëm nga manipulimi. Qytetarët ishin të kërcënuar dhe shumë nga ata nuk shkuan në votime. Shkodra ka qenë bosh, dyqanet me grila të mbyllura, ishte tmerr atë ditë,” rrëfen Izmira.
Por pavarësisht humbjes, fushata për zgjedhjet e 25 qershorit ishte shumë e ngjeshur. “Për mu si kandidate e re për deputetë ishte shumë e vështirë koha e shkurtër. Por duke pasur parasysh që isha pjesë e strukturës së Partisë Demokratike dhe më para e pata shumë të lehtë ta kapërceja dhe t’ia dilja sepse më ndihmoi shumë PD e degës Shkodër. Të gjithë më kanë dhënë mbështetje dhe suport. Që në ditën e dytë kam pasur një axhendë për 26 ditë fushatë që kishim dhe deri tek anëtari më i thjeshtë e kishte fotokopjen dhe më ndihmonin në çdo moment. Këtë takim e ke gati, hajde këtu, hajde atje. Absolutisht që fushata ishte e vështirë, por ata ma thjeshtuan shumë,” – shprehet deputetja më e re e PD.
Në fushatë përveç miqve të forumit dhe familjes së saj, ka pasur në krah edhe familjen e bashkëshortit. “ Ka qenë mbështetje shumë madhe, i kam pasur gjithë kohës në ndihmë. Kur të mbështesin të dyja familjet ja del më lehtë. I kam si shok, si shoqe- thotë-, ndërsa e ngacmoj për marrëdhënien që ka me vjehrrën dhe vjehrrin.
Megjithëse kryetari i Degës së PD-së në Shkodër u tërhoq nga listat, gjatë periudhës së fushatës, Izmira tregon se mbështetja e tij nuk i ka munguar. “Ajo ishte zgjedhja e tij. Nuk ka pasur tensione, ai ka qenë në fushatë përkrah nesh,”.
Zgjodhi arkitekturën prej dëshirës së vjetër për të vizatuar. Për gati një vit punoi arkitekte në Bashkinë e Shkodrës, në zyrën e lejeve të ndërtimit. Fokusi më i madh i saj në këto 4 vite do jetë të thithë investime të reja në Shkodër. Vendlindja, është nga te vetmet gjëra për të cilat ajo nuk arrin dot të flasë me modesti. “Shkodra ka malin, ka kodrën, ka fushën ka lumin, ka liqenin ka detin. Kudo ku të jetosh mund të merresh me turizëm. Shkodra ka personalitete, ka artin, sportin, ka letërsisë, ka këngën. Më vjen keq që këto 4 vitet e fundit të qeverisë Rama, Shkodra qëndroi në pitstop,” – pohon Izmira.
Vendi më i dashur për të ngelet liqeni i Shirokës. “ Shkoj 3 – 4 herë në javë, për t’u relaksuar, për të vrapuar, për të menduar,”.
E pyes nëse është një Shkodrane që tana i ban. Qesh, ndërsa mollëzat i theksohen akoma më shumë. “Nuk mund të them tana, por ta shohim”.
Tregon se largimet në Shkodër janë shtuar dhe halli i përbashkët i bashkëqytetarëve të saj është ekonomia. “Hallet janë të shumta,shqetësimet janë të shumta,një të përbashkët kanë që është ekonomia. E përbashkëta tjetër është që të gjithë duan të ikin,”.
Në grupin parlamentar të Partisë Demokratike nuk ndihet e huaj. Një pjesë të deputetëve i njihte ndërsa me ata të rinjtë po miqësohet. “ Disa nga deputetët i njihja. Me më të vjetrit kisha disa njohje me të rinjtë kemi filluar të njihemi. Janë shumë pozitiv, janë shumë aktiv. Do bëjnë një opozitë të vërtetë. Më deputetët e Shkodrës kam absolutisht më shumë afrimitet sepse gjatë gjithë fushatës kemi qenë bashkë kurse me deputetët e tjerë jemi të gjithë bashkë për një opozitë frontale dhe ballore, “ – tregon ligjvënësja demokrate.
Ora ka shkuar 13:20. Për 1 orë e ca, maksimumi dy, Izmira do jetë në Shkodër. Elegantedhe e qeshur, thotë se ky post i ri nuk e ka ndryshuar, sikur të ketë pasur vath në vesh një nga porositë më të vjetra të shkodranëve, ” mos të hiptë vedi në qejf”. “ Unë do jem zëdhënësja e shkodranëve në parlament. Ngelem zëdhënësja e Shkodrës. Do bëj maksimumin që t’u rri sa më afër, “ – pastaj largohet me elegancën e një francezeje, duke lënë pas një aromë të mirë.