Ju kujtohen banorët e Zharrzës të cilët marshuan drejt Tiranë për dëmshpërblimin e shtëpive dhe të tokave të shkatërruara nga makutëria e një firme kliente e qeverisë, për nxjerrjen e naftës dhe papërgjegjshmëria dhe bashkë inkriminimi i shtetit? Ende nuk i kanë marrë paratë, që u premtuan dhe firmosën një vit më parë.
Po thirrjet e dëshpëruara të gjithë atyre banorëve të përmbytur nga Myzeqeja në Shkodër, që kanë kaq vite që presin të marrin paratë e dëmshpërblimit? As ata nuk kanë marrë asnjë kacidhe. Janë dhjetëra rastet kur zjarret, përmbytjet apo fatkeqësi të tjera të natyrës gjunjëzojnë popullatën shqiptare, më së shumti për faj të shtetit dhe ai pas kësaj “zhduket”.
Por qeveria e Edi Ramës që e shfaq hapur fytyrën antihumanitare me nënshtetasit e saj më të varfër, maskuar pas sloganit “po bëjë shtet”, nxiton që të ndihmojë me para, vendin më të fuqishëm dhe të pasur në botë, SHBA-të.
Nëpërmjet një vendimi të fundit të Këshillit të Ministrave pas propozimit të vetë Edi Ramës, Shqipëria do të japë ndihmë financiare prej 100 mijë dollarësh për Shtete e Bashkuara të Amerikës, me rastin e shkatërrimeve nga uraganët e fuqishëm, që përfshinë këtë vend!!
Presidenti Trump i ka kërkuar Kongresit amerikan, deri në 800 miliard dollarë, për të rikuperuar dëmet që deri tani janë llogaritur në 200 miliard, por mendohet se janë shumë më të mëdha.
Nuk kemi dëgjuar ndonjë thirrje dëshpëruese nga SHBA drejtuar botës për ndihmë, aq më pak Edi Ramës, që në vendin e tij nuk e zgjidh qesen as për një zjarrfikëse më shumë edhe pse këtë verë u shkrumbuan qindra hektarë pyje.
Por veçanërisht pas fotos së fundit protokollare me presidentin Trump nuk mund të mungonte emri i Edi Ramës, në listën e atyre që kanë ofruar “ndihmë” për SHBA, pas situatës që po kalon.
A e dini kush është kulmi i servilizmit dhe hipokrizisë? Ky gjest që ka bërë Edi Rama, kryeministri më antihuman brenda vendit, përkundrejt vendit më të pasur dhe të fuqishëm në botë…
Vendimi i Qeverisë
DHËNIEN E NDIHMËS FINANCIARE, NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR QEVERINË E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR LEHTËSIMIN E PASOJAVE TË DËMEVE TË SHKAKTUARA NGA ERËRAT E FORTA DHE PËRMBYTJET NË SHTATOR 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1.
Dhënien e ndihmës financiare, nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shumën 100 000 (njëqind mijë) dollarë amerikanë, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga erërat e forta dhe përmbytjet e muajit shtator 2017. 2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në programin buxhetor “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 100 000 (njëqind mijë) dollarësh amerikanë, shpenzime korrente, për t’u përdorur si ndihmë financiare për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga erërat e forta dhe përmbytjet e muajit shtator 2017 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017. 4.
Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”