Qeveria rriti pagën minimale në maj të këtij viti nga 22 mijë lekë në 24 mijë, por ky nivel vetëm sa ka krijuar një terren për të protestuar e luftuar. Të paktën është ky këndvështrimi i sindikatave në vend, të cilat edhe pse më herët e kontestuan, tashmë kanë vendosur të bëhen bashkë e t’i bëjnë presion qeverisë që kërkesa e tyre e parë, për rritje në masën 28 mijë lekë, të miratohet që brenda këtij viti. Po ashtu, Konfederata e Sindikatave i kërkon kabinetit Rama që të miratojnë edhe kontratat kolektive reale si dhe statusin e profesioneve të vështira (minatorit dhe metalurgut). Presidenti i kësaj sindikate, Kol Nikollaj, i kujtoi kryeministrit se ka ardhur koha që dinjiteti i punëtorëve shqiptarë të mos nëpërkëmbet, ndërsa shtoi se protestat do jenë masive, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Nikollaj evidentoi faktin se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka një ligj për veprimtarinë sindikale, e kjo sipas tij na rendit krahas vendeve të Afrikës Veriore.
“Nga ky takim i Asamblesë së Konfederatës së Sindikatave i bëj apel qeverisë Rama të shikojë me prioritet çështjen e Kontratave Kolektive pasi jemi i vetmi vend në rajon pa ligj për kontratat kolektive dhe veprimtarinë sindikale, Pagës Minimale dhe Miratimit të Statusit të Profesioneve të Vështira pasi në të kundërt do të përballet me protesta masive që do organizohen nga Konfederata e Sindikatave. Kemi njoftuar të gjitha strukturat tona në mbarë Shqipërinë kemi marrë dakordësinë e tyre që nëse kërkesat tona bien në vesh të shurdhër atëherë qeveria do përballet me protesta masive nga jugu ne veri. Protestat nuk do jenë si ajo e çadrës së bulevardit që vërtiten rreth interesave meskine politike, por do jenë protestat e punëtorëve shqiptare që kërkojnë që dinjiteti i tyre të mos nëpërkëmbet”, tha ai. Kreu i Sindikatës akuzon qeverinë për shpërdorimin e parave e kaosin që ka krijuar me pasuritë e vendit. “Jemi vendi me standardin më të ulët të jetesës në rajon, ndërkohë që pasuritë e kësaj tokë janë shfrytëzuar pa kriter nga një klasë oligarkësh të lidhur me pushtetin.
I ofrojmë qeverisë “Rama 2” bashkëpunimin dhe ekspertizën tonë për shqyrtimin e këtyre tri kërkesave që gjatë këtij viti do jenë kryefjalë e punës tonë”, theksoi Nikollaj. Më tej, ai tha se “këtë mandat 4-vjeçar nuk ka asnjë lloj alibie që Rama të mos i mbajë premtimet e tij, ndaj dhe ne si Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i premtojmë kryeministrit se do të na ketë përballe për çdo premtim të pa mbajtur, në favor të punëtorëve shqiptarë. Rritja e pagës minimale është një domosdoshmëri në një kohë që çmimet e shportës, karburanti, energjia elektrike janë në nivelet e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa pagat në nivelin e vendeve të Afrikës veriore dhe lindjes se mesme”, deklaroi Nikollaj.
Bizneset
Por, efekti i ndryshimit të pagës minimale ka krijuar një përplasje, jo vetëm ideore mes qeverisë, bizneseve dhe sindikatave. Të paktën, kur kanë referuar analizat e tyre, dhe kostot që po paguajnë sot, sipërmarrësit kanë thënë se kostot shtesë do të reflektohen te çmimet si dhe mund të nxitet, me dëshirë edhe informaliteti. Kjo gjë e bën diskutimin specifik. Një pjesë e ekspertëve e marrin në konsideratë këtë fenomen e disa të tjerë jo. Institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht Banka Botërore, thekson se informaliteti në tregun e punës është sa 48% e tregut në tërësi. Një argumentim, i cili vendoset përballë atij mbi rritjen e pagës minimale. Rritja e pagave minimale, në terma realë, ka qenë shumë e ulët në periudhën midis viteve 2000-2015, me qëllim për të mos nxitur efekte negative në treguesin e punësimit. Punëdhënësit kanë përdorur mekanizma rregullues në vend të angazhimit për rritjen e kostos së punës
Efektet
Për herë të fundit paga u rrit në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë nuk është indeksuar as me ndryshimin e çmimeve të konsumit. Shqipëria është ndër vendet me pagën më të ulët minimale në rajon. Për qeverinë ky është konsideruar si një avantazh për të tërhequr sipërmarrësit e huaj, veçanërisht në fushën e prodhimit, duke qenë se konkurrenca në rajonin e Ballkanit është e fortë. Por, ndryshimi i pagës minimale ka dy efekte. Nga njëra anë qëndron biznesi, të cilit do t’i rriten kostot e punës së biznesit. Vetëm për sigurimet shoqërore rritja aktuale është 334 lekë. Në kushte të tilla, biznesi ka filluar të shkurtojë vendet e punës dhe të ulë investimet, çka pritet të reflektohet negativisht në ekonomi. Në anën tjetër qëndron punëmarrësi, i cili merr disa të ardhura më të larta. Drejtuesit e sindikatave argumentojnë se një pagë minimale më e lartë mbron kapitalin njerëzor nga shfrytëzimi i padrejtë dhe shton konsumin./Shekulli