Kjo është banesa e 27-vjeçares Enertila Beqja, e cila tani qëndron e mbyllur ndërsa dy prindërit janë larguar prej saj.
Banesa e rikonstruktuar gjatë vitit të fundit kishte mbetur e shkretë. Rrushi i vjelë nga hardhitë ditë më parë ishte lënë në mes të verandës, ndërsa askush prej dy prindërve të saj të moshuar nuk rrinte më në shtëpi.
Komshinjtë bënë me dije se çifti Beqja kishte vetëm një vajzë, Enertilën, e cila pasi kishte mbaruar gjimnazin qëndronte e papunë në shtëpi. Vajza hiqej se ishte fejuar, por të fejuarin nuk ia kishte parë asnjë njeri.
Familja tre anëtarëshe nuk komunikonte pothuajse me të gjithë lagjen. Ata nuk flisnin me fqinjët, ndërsa këta të fundit thanë se ishin trembur mjaft kur kishin parë policinë në derë e cila iu kishte sekuestruar orenditë e shtëpisë. Lajmi për arrestimin e vajzës kishte marrë dhenë në fshat, ndërsa të gjithë thoshsin se vajza qëndronte e tërhequr dhe nuk linte shkas për biseda me komshinjtë.
“DurrësLajm” kontaktoi edhe me viktimën e kësaj ngjarjeje, 30-vjeçarin Barush Ahmetaj, por ky i fundit tha se nuk donte që të jepte asnjë shpjegim. “I kam thënë të gjitha në polici, dhe nuk flas për asgjë sepse është jeta ime private”.
HISTORIA
Një histori e padëgjuar më parë, as nga prokuroria e as nga policia është regjistruar në Durrës, ku objekt është dashuria e 30-vjeçarit Barush Ahmeti, nga fshati Kullë i Durrësit me 27-vjeçaren Enertila Beqja nga fshati Manëz, pak km larg njëri-tjetrit. Për tre vjet ata kanë qenë të dashur virtual, por asnjëherë nuk e kanë konsumuar aktin fizik ndërmjet tyre. 30-vjeçari më 22 shtator e ka denoncuar në polici të dashurën e presupozuar prej tij, pasi për tre vjet me radhë vajza i ka marrë nëpërmjet mashtrimit 60 milionë lekë. Policia bëri me dije se Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasen: Enertila Beqja 27 vjeçe, banuese në Manëz të Durrësit. Ndaj saj, më 22 shtator ka bërë kallëzim shtetasi Barush Ahmeti 30 vjeç, i dashuri i saj, të lidhur në rrjetin social të “Facebook”-ut.
Vëllezërit e 30-vjeçarit me detyrë drejtor i Postës në Manëz, gjatë tre viteve të fundit kishin dërguar një shumë prej 60 mijë eurosh në banesë. Vëllai i tyre u kishte thënë se nëna është pa qejf, e për pasojë ata dërgonin lekë vazhdimisht. Kur emigrantët erdhën në shtëpi dhe nuk gjetën asnjë lekë në arkën e kursimit “shtrënguan” vëllanë e tyre i cili u tregoi se ja kishte dhënë vajzës me të cilën do të martohej. Vëllai u tregoi se vajza që ai dashuronte ia kishte marrë borxh, dhe do ia kthente në një të ardhme të afërt. 30-vjeçari kontaktoi vajzën nëpëmjet FB, dhe i kërkoi lekët që i kishte dhënë borxh, por ajo i bëri block, dhe u largua nga shoqëria me të. I plagosur keq nga dashuria, i riu me origjinë nga Hasi, por edhe i zënë ngushtë nga vëllezërit e tij emigrantë në Angli prej shumë vitesh, iu drejtua policisë së Durrësit ku edhe bëri denoncimin./portali DurresLajm/