Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu ka dhënë deklarata të tjera të forta ditën e sotme, gjatë aktivitetit të organizuar për 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës. Ai tha se gjyqtaren Fildez Hafizi e la në baltë sistemi i drejtësisë duke rrëfyer takimin me të ndjerën një vit më parë në ceremoninë e diplomimit.
“I nderuar ish Presidenti Moisiu, Kryetar Zaganjori, Ministre Gjonaj, Ministër Xhafaj, Zoti Sadushi, kolegë ambasadorë, zonja dhe zotërinj,
Mirëmëngjës. Sot në këtë sallë shoh dy grupe. Grupi i parë është afër skenës, ata janë disa të huaj dhe disa, me respekt, të moshuar me shumë përvojë në sistemin e drejtësisë. Për mua grupi i dytë është më interestant. Grupi i dytë ata janë të rinjtë, larg skenës, me fytyrat plot me optimizëm dhe plot vetëbesim. Ata të gjithë japin shpresë për të ardhmen e Shqipërisë. Kjo duartrokitje është për ju.
Si të gjithë ju, edhe unë jam këtu për të njohur rolin e rëndësishëm të Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen e brezit të ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por nëse më lejoni, dëshiroj të shtoj diçka specifike për të diplomuarën tuaj, të ndjerën Fildes Hafizi, si dhe diçka për sfidën e ardhshme madhore të sistemit gjyqësor shqiptar – krimin e organizuar.
Pata mundësinë të merrja pjesë në ceremoninë e diplomimit në Shkollën e Magjistraturës vitin e kaluar. Atje, pata kënaqësinë të bisedoja me Fildes Hafizin për përkushtimin e saj për ta bërë më të mirë sistemin gjyqësor shqiptar. Si të gjithë të diplomuarit, ishte një e re e shkëlqyer dhe e talentuar që donte t’i shërbente vendit të saj.
Sistemi gjyqësor i Shqipërisë e la në baltë Fildesin. Sistemi dështoi ta mbante të shoqin e saj të rrezikshëm në burg. Dështoi ta mbronte kur ai u lirua. Fildesi, si të tjera gra në Shqipëri që janë viktima të dhunës në familje, meritojnë diçka më të mirë nga sistemi i drejtësisë. Vdekja e Fildesit nuk duhet të shkojë dëm. Ajo duhet të jetë frymëzim për të gjithë të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës për të vazhduar punën e saj për t’i dhënë drejtësi të vërtetë popullit shqiptar. Ajo e la këtë përgjegjësi për të gjithë ne”, tha ambasadori Lu.
Ai tha më tej se Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve do të fillojë javën që vjen dhe se parlamenti aktual më i mirë se paraardhësi.
“Ndërkohë që festojmë 20-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës sot, kjo na ofron një çast për të reflektuar mbi zhvillimin e bërë dhe rrugën përpara.
Të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për hapat përpara që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të fillojë javën që vjen. Ka qenë rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, por ky proces do të bëhet si duhet dhe me profesionalizëm, duke iu dhënë shpresë shqiptarëve se do mund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre.
Shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë larguar kriminelët nga parlamenti. Në këtë drejtim, Kuvendi i 2017-ës është më i mirë se Kuvendi i 2013-ës. Më në fund, shqiptarët, në qeveri dhe në opozitë, duhet të jenë krenarë për përparimin domethënës kundër kultivimit të kanabisit”, tha amabasadori amerikan.