Opozita ka vendosur “të ngujohet” brenda sallës së parlamentit, në përpjekje për të realizuar kërkesën që reforma zgjedhore të jetë kryefjala e punimeve të seancës.
Kuvendi u paralizua të paktën 4 herë dhe Gramoz Ruçi lajmëroi vendimin që Lulzim Basha ishte përjashtuar nga seanca. Punimet parashikohen të vijojnë pasdite, ndërkohë që PD është e vendosur të mos lëshoje pe në kërkesat e saj.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha në një intervistë telefonike për “Gazetën Shqiptare” se opozita ka ndërmend të bëjë që zëri i saj të dëgjohet nga qeveria dhe parlamenti.
“Qëndresa do të vazhdojë me të gjitha format dhe mënyrat demokratike”, shtoi Basha duke treguar kush janë 2 kushtet që jeta politike të vijojë normalisht.
“Siç e konfirmon edhe raporti i OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet u tjetërsuan, u blenë. U blenë nga Edi Rama me ndihmën e krimit dhe ky është fakt. Zgjedhjet u blenë bashkë me krimin dhe pa u rivendosur kushtet për zgjedhje të lira nuk ka asnjë shpresë tjetër për vendin. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa kthimi i legjitimitetit të parlamentit, të qeverisë dhe këto arrihen vetëm me zgjedhje të lira.
Ka 2 parakushte: Reforma zgjedhore që përfshin votimin elektronik dhe mposhtja përfundimtare e krimit. Kjo qeveri ka aleancë me krimin“, tha Basha për GSH