Kryemadhi: Kriminelët janë kthyer në policë dhe policët në kriminelë. Mbështes Donald Lu

9
245

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur mbështetjen e saj dhe të forcë politike që drejton, ndaj ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu, në lidhje me deklarata e bëra nga ai, për 4 klane që drejtojnë Shqipërinë.

Deklarata Kryemadhi i ka bërë mbrëmjen e sotme në emisionin ‘360Gradë’ të Artur Zhejit, në Ora News.

Pjesë nga intervista e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:

Nuk dua t’i heq asnjë pikë dhe asnjë presje, dhe as të shtoj asnjë fjali asaj që tha Ambasadori Lu, edhe pse është pak e vonë, sepse ne, këtë deklaratë që thotë ambasadori, e kemi artikuluar prej gati dy vite më parë, përsa i përket ndërhyrjes ose lëvizjes së instrumenteve të Policisë nëpërmjet duarve të krimit.

Pra, tashmë na janë kthyer kriminelët në policë dhe policët në kriminelë. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur media të cilat i kanë bërë reklamë policisë, për rripin e sigurimit në makinë, uniformave të policisë, qarkullimit rrugor, që është gjithashtu e rëndësishme, por e gjithë mbulonte dhe kamuflonte çdo kapje të strukturave të Policisë së Shtetit.

Shpërthimi i tyre i jashtëzakonshëm ndodhi gjatë zgjedhjeve ku kriminelët ushtronin presion në shtëpitë e njerëzve do të marrësh paratë apo plumbin dhe dy metra më tej, ishte makina e policisë që bënte presion psikologjik që mos merr guximin të denoncosh për këtë person që kërcënon. Nuk mund të them se me deklarata mund të luftosh krimin. Ambasadori tha se paratë e krimit do të blejnë prokurorin dhe gjyqtarin, por unë them se edhe do ta vrasi prokurorin dhe gjyqtarin.

Ti thua se ofensiva e krimit mund të shkojë deri në vrasjen e gjyqtarit dhe prokurorit?

Pse pak kanë vrarë. Pak janë vrarë njerëz. Nuk mund të marrim gjithë listën, por shumë njerëz janë vrarë dhe nuk gjendet arsye ose vrasësi. Unë shpresoj që policia e shtetit duhet të bëjë një ringritje, apo rilindje në qoftë se do të ketë dëshirën për ta bërë. Është skeptike si ide, por shpresa vdes e fundit. Duke pasur parasysh edhe ambasadorët kanë filluar të zgjohen, sepse krimi i organizuar shqiptar nuk diskuton më për të kontrolluar territoret e Shqipërisë, por diskuton për të kontrolluar territoret jashtë Shqipërisë gjë që i ka bërë edhe ndërkombëtarët të zgjohen. Deri dje kur LSI e artikulonte çështjen e krimit, ndërkombëtarët nënqeshnin.

Ju thatë se ministri i Brendshëm është vetëm? Pse është vetëm? Pse është emëruar aty?

Jemi në një situatë të tillë që po të shikosh mënyra se si është strukturat dhe ngritur qeveria nuk është se Ministrisë së Brendshme i ke dhënë mundësi për ta fuqizuar. Përderisa z. Xhafaj nuk arrin të ndryshojë një nga njerëzit kryesorë për funksionimin e policisë që është Drejtori i Përgjithshëm Policisë së Shtetit, atëherë ose do të bashkëjetojë me atë llum që është Policia e Shtetit ose nuk është i fuqishëm për të lëvizur drejtorin e Policisë. Le ta shohim.

Ju keni informacione se ka vullnet për të lëvizur drejtorin e Përgjithshëm.

Nuk mund të them se kam informacion, por them që atë vullnet pozitiv që kam parë se ai do të bëjë diçka, them se edhe mosreagimi i tij për deklaratat e ambasadorit, them se ai e pranon për mua situatën që është e tillë. Në momentin që nuk do të lëvizë kupola e policisë… Para ca ditësh pamë një drejtor policie që kishte një vit e gjysmë që kërkohej nga Interpoli dhe letra ishte fshehur dhe qëndronte në zyrat e policisë. Vetëm kjo mjafton për ta shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nuk bëhet asnjë reagim.

A do të arrini ju në opozitë ta ndërprisni këtë situatë?

Krimi nuk ka për të ndaluar asnjëherë. E mira dhe e keqja bashkëjetojnë dhe luftojnë gjithmonë njëra-tjetrën. Po, asnjëherë në këtë tranzicion 26 vjeçar në Shqipëri krimi nuk ka qenë kaq i përfshirë në qeverisje. I ke kudo, në çdo vend. I ke që zaptojnë zyrat e kryetarëve të bashkive. I ke në zyrat e tenderëve. Bien telefonat nga qelitë e burgjeve. Gjëra nga më monstruozet. Sot flasim për kanabis, nesër për droga të forta dhe pasnesër për terrorizëm. Pra është një situatë që do të vështirësohet çdo ditë e më shumë. Dhe nuk do të vështirësohet vetëm për qytetarët por edhe për Ramën vetë, edhe për socialistët. Jam e bindur që këtë gjë do të bëjë, do të iki. Duhet të kemi një zgjim të ndërgjegjes kombëtare. Shqiptarët nëse zgjohen do ta rrëzojnë Ramën shumë shpejt.

Shqiptarët ngrihen vetëm kur i merr lekët znj. Kryemadhi?

Pse koncesionet 1 miliardë euro çfarë janë? Do të merren paratë e shqiptarëve nga bankat dhe do t’i marrin bizneset që janë zhytur në borxhe, do të ndërtojnë. Banka do të kërkojë interesa. Ja falimentoi projekti, kush do t’i paguajë ato para?! Do t’i paguajnë shqiptarët. Me këtë projekt rrezikohet të kthehen piramidat e vitit 1997.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here