Edmond Panariti
Të nderuar kolegë deputetë.
Në fakt sot do të ishte krejt normale që kjo seancë ti dedikohej diskutimit për çështjet e reformës zgjedhore, por ju e patë fare mirë edhe nga diskutimet e pjesës së parë të ditës se në çfarë konteksti do të duhet që ne ta zhvillojmë këtë diskutim dhe këtë debat. Qartazi nga diskutimet e kolegëve të opozitës, por edhe të maxhorancës, del qartë që ne jemi në një situatë tërësisht anormale. Jemi në një situatë pranë krimit, ku akoma nuk është shuar jehona e batareve të Lushnjes, është çështje countdown-I kur të dëgjoni brenda ditës krimin e radhës, shantazhin e radhës, presionin e radhës, bllokimin e kaq tonë kanabis, kokainë etj. Dhe ne flasim për sistemin, madje një koleg tha bëhuni pjesë e sistemit që të fitoni zgjedhjet? Po të kujt sistemi o zotëri? Sistemit të Pistolerës? Sistemit të Eskobarit? Absolutisht. Unë besoj se opozita nuk duhet të jetë aq naive për të mos kuptuar që për çfarëdolloj reforme të sistemit zgjedhor bëhet fjalë. Për çfarëdo lloj reforme të sistemit, maxhoritar, proporcional, proporcional të pastër, proporcional rajonal, për çfarëdo lloj sistemi të depolitizimit që mund ti bëhet sistemit të administrimit të votës. Në rast se ne do të vazhdojmë të lëvizim në këtë kontekst, destabilitetit, krimit të organizuar, vrasësish, fati dihet. Sepse I gjithë tipologjia e kësaj situate e krimit të organizuar, synon natyrisht ta kaparojë dhe pushtetin politik. Ato para do të injektohen, sikurse janë injektuar për të ndryshuar vullnetin popullor. Edhe si deputet i Qarkut të Korçës, e kam për detyrim për t’ju shpjeguar edhe qytetarëve të këtij Qarku, sepse në mes të procesit zgjedhor një komisioner I LSI, pa asnjë lloj arsye, thjesht me një telefonatë anonime nxirret forcërisht nga komisioni I votimit, arrestohet, paralelisht arrestohen 7-8 numërues, pa absolutisht asnjë lloj baze, sepse thjesht policia nën presionin e qartë dhe tashmë të ditur, futi dorën në procesin zgjedhor, pa llogaritur ndikimet e kriminelëve, të krimit të organizuar. Prandaj thashë, se në rast se nuk zgjidhim përfundimisht këtë situatë destabiliteti, kriminaliteti, trafiku nuk ka kurrfarë sensi që ne të fillojmë një diskutim për reformën zgjedhore, për administrimin e procesit zgjedhor, për komisionin bi, tri, pesë partizanë, sa të doni ju, për formën e sistemit, a ta kthejmë nga proporcional rajonal në maxhoritar. Këto janë totalisht irivelante. Në fakt, nëse do tju kujtohet ne kemi provuar shumë forma të sistemit zgjedhor, kemi filluar me maxhoritarin, kemi kaluar me maxhoritar të korrektuar me proporcional, dhe kjo nuk e ka penguar politikën shqiptare për të gjetur xhepat që krijon sistemi, për të bërë deformim të votës.
Kështu kemi pasur situata që vazhdojnë e sot e kësaj dite ku një deputet del me 1000 vota dhe një deputet tjetër del me 25 mijë vota. Është ky përfaqësim i vullnetit popullor sigurisht që jo. Po pikërisht pra se në mënyrë diabolike do te shikohen xhepat e sistemit. Pra hilja fillon edhe nga vetë politikanët. E çiftëzuar kjo edhe në situatën komplet te destabilizuar në terren, kuptohet ka vetëm një rezultat. Deformim te vullnetit të votuesve shqiptar. Më vjen keq që ne na duhet tashmë të vendosim këtë diskutim në këtë kontekst, por do ishim të verbër për të mos kuptuar që ky është realiteti që ndodh dhe nuk ka nevojë që ky realitet të vijë këtu nëpërmjet zërit të politikanëve. Shkoni shikoni lajmet përditë dhe krijoni një perceptim real të asaj që po ndodh realisht në Shqipëri. Pra të ndërtosh një diskutim eks katedra duke injoruar atë që ndodh në realitet është e pa bazë prandaj ne duhet të zgjidhim fillimisht disa çështje madhore të cilat janë në interes të të gjithë forcave politike. Pra shkëputjen përfundimtare të krimit nga politika. Shkëputjen përfundimtare të oligarkisë nga politika. Shkëputjen përfundimtare të trafiqeve nga politika. Dhe çlirimin e gjithë shoqërisë shqiptare, ekonomisë së vendit nga këto forma kriminale të të vepruarit dhe të të ndikuarit. Ndryshe më vjen keq gjithë këto pastaj do të kenë vetëm vlerën e disa diskutimeve apo disa hapave të cilët do të jenë të shkëputur nga realiteti dhe çfarëdolloj ndryshimi dhe me çfarëdolloj përpjekje që do të bëjmë bashkarisht për të ndryshuar sistemin, për të ndryshuar mënyrën e administrimit të procesit të votimit, të numërimit të votave, qoftë konvencional, qoftë elektronik në rast se do të mbështetet në këtë realitet të jeni të sigurt që situata do të jetë ajo pritet. Pra deformim i votës popullor, shtrembërim i këtij vullneti dhe prodhim i një rezultati i cili prodhon më pas edhe një zinxhir eventesh të cilët mbajnë peng zhvillimet dhe proceset demokratike të vendit. Faleminderit.