Imami Elvis Naçi pas një konflikti mjaft të ashpër që pati me analistin Mustafa Nano jep sqarime të tjera në lidhje me situatën.
Ai thotë se shumë njerëz e pyetën pas emisionit se si arriti që të ruante qetësinë në lidhje me debatin.
Gjithashtu, imami ka sqaruar se shumë njerëz i kishin dërguar mesazhe dhe e kishin lavdëruar për qëndrimin e tij.
‘’Ka një gjë që na shqetëson të gjithëve, nuk duhet të dalim në media për të thënë që unë dhe s’ka tjetër, nuk dalim që të tregojmë se jemi më i mençuri. Sa herë që dal në debat konstruktiv kam një qëllim që të jap një mesazh sa më qytetarë për të gjithë ata që na ndjekin. Nëse ne në studio do të fyejmë, çfarë mund të presim nga rinia?!”, shprehet imami Naçi i ftuar në një emision televiziv në Kosovë.
Më tej, imami tregon se pas debatit në studio e ka çuar Mustafa Nanon me makinën e tij në shtëpi.
“Ka pasur reagime të ndryshme në lidhje me debatin, por jashtë kamerave ka vazhduar debati konstruktiv, e pyeta se me çfarë kishte ardhur në studio, dhe më tha ‘’me këmbë”. Unë i thashë hajde në makinën time se do të çoj unë deri te shtëpia jote. Madje rrugës më thoshte më lër këtu, më lër atje, ndoshta nga sikleti, dhe unë e çova deri në hyrjen e pallatit “, ka thënë Naçi në studion e ‘’n’Kosovë Show”.