Deutsche Welle: ‘Tahiri’ ngec në Komisionin e Imunitetit

0
208

Këshilli i Mandateve e Imuniteteve nuk mori vendim për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Deputetët socialistë dhe ata të opozitës votuan respektivisht pesë kundër e pesë pro çështjes.

Nga Deutsche Welle

Përfaqësuesit socialistë në komisionin parlamentar të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve janë të mendimit se provat e paraqitura nga prokuroria shqiptare janë të pamjaftueshme për të autorizuar arrestimin e deputetit socialist, Saimir Tahiri. Ata kanë miratuar vetëm kërkesën e prokurorisë për të kontrolluar banesën e deputetit socialist, Saimir Tahiri. „Ne si shumicë çmojmë se kërkesa e prokurorisë nuk mbështetej në prova, siç e kërkon Kushtetuta”, u shpreh anëtari i Komisionit dhe deputeti socialist, Ulsi Manja.

Opozita e cila votoi për heqjen e imunitetit të zotit Tahiri, është shprehur e indinjuar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një prononcim për mediat akuzoi kryeministrin Rama si të bërë një me Tahirin. „Drejtësia do të vonojë por nuk do të mungojë”, theksoi ai në prononcimin e tij. Edhe kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në opozitë, Monika Kryemadhi po ashtu dënoi ashpër qëndrimin e deputetëve të mazhorancës socialiste në komision. Ajo e quajti „votë për narkoqeverinë” votën kundër të deputetëve socialistë.

Vetë avokati i Saimir Tahirit është shprehur, se kërkesa e prokurorisë nuk është e bazuar në prova dhe në ligj. Pas publikimit të përgjimeve nga antimafia italiane, prokuroria shqiptare bëri kërkesë të enjten për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i akuzuar për përfshirje në trafik droge me grupin kriminal të Habilajve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here