Ambasada zbardh fjalimin e plotë të ambasadorit: Gjykoni vetë se çfarë mendimi ka SHBA për çështjen “Tahiri”

0
246

Fjala e Ambasadorit amerikan Donald Lu për korrupsioni e sidomos çështjen e nxehtë politike, hetimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, u interpretua nga media dhe politikanë e deri edhe nga vetë Kryeministri. Ky i fundit madje shkoi deri aty sa e interpretoi fjalen e ambsadorit amerikan si mbeshtetje per vendimin e PS, gje e cila duket qartazi se nuk qendron ne asnje prej fjaleve te perdorura nga Lu.

Ambasada amerikane në Tiranë, pa vonuar, e ka publikuar fjalimin në rrjetet sociale duke i ftuar të gjithë ta lexojnë të plotë:”Lexoni fjalën e plotë të Ambasadorit Donald Lu gjatë aktivitetit të Këshillit Rinor të Ambasadës kundër korrupsionit”, njofton Ambasada në FB.

Fjala e Plote

Të dashur studentë, të dashur anëtarë të Këshillit Rinor, mirëmëngjes.

Dua t’ju përgëzoj për punën e jashtëzakonshme që keni bërë për të luftuar korrupsionin në sistemin arsimor. Por së pari, më lejoni të them dy fjalë në lidhje me polemikat aktuale rreth ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend. Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar.

Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin tjetër, me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim.

Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën.  E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje.  Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë.

Tani, më lejoni të flas për arsyen pse jemi këtu sot – korrupsioni në sistemin arsimor.

Unë besoj që brezi juaj do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes së problemit të rritjes së korrupsionit në shkolla dhe universitete. Më pëlqejnë shumë idetë që po vini në praktikë. Për shembull, më pëlqen idea juaj për të identifikuar profesorët më të mirë dhe për t’iu treguar të gjithëve se cilët profesorë i rezistojnë korrupsionit dhe vendosin edukimin e studentëve të tyre përpara interesave vetjake.

Ndërsa brezi juaj lufton korrupsionin, ju lutem dijeni se keni mbështetjen tonë të plotë. Ne po punojmë çdo ditë për të mbështetur vetingun në drejtësi,  luftën kundër krimit të organizuar dhe dekriminalizimin e politikës. Aty ku brezat e kaluar kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit, unë jam besimplotë se ju do të keni sukses.

Më lejoni ta përfundoj duke falenderuar të gjithë anëtarët e Këshillit Rinor, Qendrën  për Nisma Ligjore Qytetare dhe veçanërisht profesorët e dekanët që e kanë mbështetur me guxim këtë nismë.

Korrupsioni nuk do të mposhtet në një ditë të vetme, por mund të mposhtet nga një brez.  Do të mposhtet nga brezi juaj.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here