“Zhvillimi ekonomik i një vendi është i lidhur ngushtë me sistemin e drejtësisë së tij”. Kështu deklaroi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili mori pjesë dje në konferencën ndërkombëtare me temë “Ekzekutimi i vendimeve të gjyqësorit – Garanci për një ekonomi efikase”, të organizuar në Tiranë, nga Dhoma Kombëtare Franceze e Përmbaruesve.
Duke folur për lidhjen mes këtij binomi, Kreu i Shtetit theksoi se “nëse sistemi i drejtësisë garanton mbrojtjen dhe ekzekutimin e të drejtave, atëhere kjo klimë pozitive do të nxisë iniciativa dhe sipërmarrës të rinj”.
“Asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte të zhvillonte aktivitetin e tij, për më tepër të investonte në një vend të pasigurt, ku drejtësia shtrembërohet apo ku vendimi i gjykatës injorohet dhe nuk ekzekutohet. Çdo sipërmarrës që shfaq interes për Shqipërinë, interesohet së pari për sistemin fiskal dhe për mënyrën se si drejtësia funksionon, pasi dëshiron të ketë të qartë se cila është politika mbështetëse shtetërore dhe cila është cilësia e shërbimit në sistemin gjyqësor”, tha Meta.
Një rol të rëndësishëm për klimën e biznesit dhe zhvillimin ekonomik, sipas tij, ka pikërisht shërbimi përmbarimor, që është edhe hallka fundore e sistemit gjyqësor.
Meta vlerësoi po ashtu ndihmën e autoriteteve franceze, të cilët në vijimësi kanë asistuar insitucionet shqiptare, duke ofruar modelet më të mira se si të përmirësojmë qeverisjen e vendit. Një sistem drejtësie që funksionon normalisht në të gjitha hallkat e tij, sipas Presidentit, “sjell si rezultat një drejtësi funksionale që konsolidon në vijimësi sigurinë juridike të shtetasve dhe normalisht edhe të biznesit dhe sipërmarrjes në një vend”.
“Një drejtësi funksionale është ajo ku vendimi i gjykatës ekzekutohet dhe nuk diskutohet. Është detyrë primare e organizmave shtetërore që të ndërmarrin të gjitha veprimet për t’i ofruar qytetarëve siguri juridike, e cila garantohet duke krijuar një sistem ligjor të shëndoshë”, tha Meta./atsh