Dosjet e fshehta me përgjime e filmime, deri ku shkon lidhja krim-pushtet?!

0
1151

 

Zbardhja e përgjimeve të antimafies italiane mbi grupin e trafikantëve që ju sekuestruan 3.5 ton marijuanë solli një tërmet të vërtetë në jetën politike shqiptare. Zbardhja e përgjimeve të këtij grupi, ku pjesë ishin edhe tre shqiptarë, mes tyre kryesori Moisi Habilaj, zbuloi fakte tronditëse mbi lidhjet e trafikantëve me kupolën drejtuese të policisë së shtetit . Por nga dosja me përgjime me më shumë se 400 faqe u zbardhën edhe lidhjet e grupit të trafikantëve të drogës me zyrtarë të lartë të pushtetit, lidhje që shkonin deri në godinën e Këshillit të Ministrave. Ndërsa tensioni politik mbi këtë dosje mbetet në kulm, përfaqësues të politikës, medias si edhe burime të fshehta nga shërbimet partnere flasin për të tjera përgjime që implikojnë zyrtarë të lartë të shtetit, ku përfshihen ministra e ish-ministra. Flitet  për ekzistencën e disa fakteve tronditëse të cilat do të sjellin përshtjellime të mëdha në politikën shqiptare. Në këto fakte përfshihen jo vetëm përgjime audio, por edhe foto e video të përfaqësuesve të lartë të shtetit të implikuar me grupe trafikantësh.

 

Përgjime e filmime

Gazetari Basir Çollaku, i cili ka një meritë të veccantë në zbardhjen e lidhjeve mes shtetit e krimi përmes intervistave me ish-shefin e antidrogës së Vlorës Zagani apo edhe së fundmi me ish-oficerine Nazëraj,  ka deklaruar dy ditë më parë se fakte të tjera pritet të publikohen shumë shpejt në media.  Duke mos përjashtuar filmimet, gazetari tha se janë të regjistruar në video kryeminisatri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.  “ Në përpjekjen kur zoti Tahiri, në kulmin e debatit të avionëve tentoi të qëndronte në detyrë, ajo që e ktheu në detyrë ishte një shkëmbim i natyrës kriminale. Kjo është e filmuar nga shërbimet partnere. Do të bindemi shumë shpejt”, u shpreh gazetari Basir Çollaku.

Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, pasi kryeministri Rama ju hakërrua mediave në oborrin e Kryeministrisë, gazetari i kronikës Artan Hoxha përmes një reagimi në rrjetin social theksoi se halli i vërtetë i kreut të qeverisë është tjetër kund, tek videot e regjistruara me zë dhe figurë. “Halli i vertetë i kryeministrit është tjetër kund, te videot e regjistruara me zë dhe figurë. Aty s’të ndihmojmë dot o pronar-Drejtor-kryeredaktor i të gjitha mediave në vend. Por mos harro, qoftë edhe njëri nga ne të mbetet në këmbë gjithnjë do gjendet një media brenda apo jashtë vendit ku do shfaqet ajo video me zë dhe figurë…”, u shpreh Hoxha në një postim në faqen e tij në Facebook.

Po ashtu edhe moderatori i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu prej disa javësh ka paralajmëruar për një dosje që  ndërkombëtarët u kanë dhënë gazetarëve, ku përmbahen  fakte të lidhjeve të qeveritarëve me element të krimit e narkotrafikut. Fevizu ka theksuar se shërbimet sekrete të ambasadave të rëndësishme në Tiranë kanë grumbulluar fakte, dokumente, video, telefonave dhe prova që faktojnë përfshirjen e qeveritarëve në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. “Kam folur për një foto të një kryebashkiaku, foto të një ministri të qeverisë me pjesëtarë të familjes Habilaj, foto të cilën e kam parë vetë, por nuk kam pasur mundësi ta publikoj sepse personat që e kanë në dispozicion nuk kanë vendosur akoma ta publikojnë. Por nuk mund të them për përgjegjësinë e ministrit në fjalë, sepse duhet parë në çfarë rrethanash kanë qenë. Fotoja është bërë në grup, një drekë apo darkë elektorale, në një restorant të Vlorës. Kjo edhe mund të publikohet, siç mund të publikohen përgjimet e një të afërmi të një ministri që janë parë dhe dëgjuar nga një numër i madh gazetarësh. Ka një të vërtetë që fotoja e ministrit është marrë nga filmime nga kamerat e sigurisë së restorantit”,- tha Fevziu pak ditë më parë.

Por krahas përfaqësueve të medias nuk kanë munguar edhe reagimet nga politika lidhur me mundësinë e daljes në sipërfaqe të tjëera dosjeve me fakte tronditëse të lidhjes së krimit me pushtetin. Kryedemokrati Basha ka theksuar këto kohë se ekzistojnë fakte e prova të tjera që implikojnë një sërë ministrash e zyrtarësh, ndërkohë për ish-ministrin Tahiri ka theksuar se ai nuk do ti shpëtojë drejtësisë. Në lidhje me këtë të fundit, Basha ka pohuar se hetimi i Tahiri nuk është fundi i kësja cështjeje, por vetëm fillimi i çmontimit të narko-shtetit.

 

Nga ana tjetër ish-kryeministri, Sali Berisha ka denoncuar ministrin Damian Gjiknuri i cili sipas tij është filmuar duke dhënë para te Habilajt për të blerë votat në fushatë.  “Gjiknuri ne tepsi! I filmuar duke i dhene para Habilajt ne fushate per te blere votat! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital!: “Pershendetje Doktor! Gjate fushates elektorale te fundit, Habilajt uleshin per dreka dhe darka me Damian Gjiknuri ne Vlore. Madje Habilajt kane edhe regjistrime duke i ofruar para ne dore D.Gjiknurit. Kane pasur mardhenie te regullt interesash Gjiknurin”, shkruante Berisha duke përcjellë denoncimin e qytetarit dixhital. Ndërkohë ministri Gjiknuri reagoi ndaj këtyre denoncimeve duke i cilësuar si të pavërteta.

 

Ndërkaq deputeti demokrat Luçiano Boçi ka pohuar dy ditë më pare se në vijim priten prova të tjera që implikojnë Ministra dhe ish-Ministra të tjerë të qeverisa Rama me krimin. “. Çështja Tahiri nuk është se zgjati tre ditë dhe si çdo çudi shqiptare zgjatrvetëm tre ditë por është një çështje që do të vazhdojë. Jo se duam ne, por faktet e dala nga përgjimet e Antimafias italiane kërkojnë që proceset hetimore të thellohen edhe në drejtim të figurave të tjera. Jo thjesht se i di PD, por në bazë të të dhënave, deklaratave dhe të atyre denoncimeve që vinë nga shumë drejtime pritet që në pjesën e kërkesave të prokurorisë të ketë edhe emra të tjerë big të mazhorancës, ish-Ministra, Ministra. Situatat janë evoluim dhe në zhvillim e sipër”, deklaroi ai.

 

Lidhja krim-drogë-pushtet

Nga dosja e italianëve rezulton se trafikantët e 3.5 tonëve marijuahanë ishin vënë në përgjim prej shumë kohësh. Në bisedate trafikantëve përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Tahiri.  “Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”. Veç akuzave të opozitës në dosjen voluminoze del dhe automjeti i ish-ministrit, të cilin ia kishte shitur vëllezërve Habilaj e që kishin udhëtuar për në Sicili. Në dosjen e hetimeve të Gjykatës së Katanias e firmosur nga gjykatësja Loredana V.K Pezzini makina me Audi A8 me targë AA 003 GB në përdorim të Moisi Habilaj lindur më Shqipëri më 18/01/1978 përmendet të ketë hyrë disa herë në territorin italian. Në faqen 193 të kësaj dosje, hetuesit italianë shpjegojnë se Habilaj (Moisi) e Çelaj (Sabaudin) kanë hyrë në Siçili disa herë me këtë makinë e cila siç shkruan dokumenti italian “është në pronësi të Saimir Bashkim Tahirit, Ministër i brendshëm i Republikës së Shqipërisë”. Gjithashtu hetuesit italianë shpjegojnë se më datë 24/02/2014, Moisi Habilaj së bashku me Sabaudin Çelaj kanë hyrë në Siçili në bordin e automjetit Audi A8 AA 003 GB e kanë qëndruar deri më datë 04/03/2014. Gjatë kësaj periudhe kohore të qëndrimit të tyre në Siçili, grupi i trafikantëve shqiptarë ka realizuar me sukses transportimin nga Shqipëria të një sasie marijuanë për llogari të italianit Sebastiano Sardo, person besnik i klanit mafioz Capello, i arrestuar nga policia italiane në janar të 2017. Prej verës së 2017, mafiozi Sebstiano Sardo është bashkëpunëtor me drejtësinë italiane.

Më datë  26 shkurt 2014, ka ndodh takimi  mes Moisi Habilaj e Sebatiano Sardo në lokalin “Bar Storico” të Katanias, ndërsa vështronin nga larg transportimin e drogës në bordin e një furgonit të tipit Ford nga një vend furnizimi karburanti “Eni” drejt një dyqani shitje dyshekësh në rrugën Concordia. Më datë 05/03 2014 policia antidrogë e Katanias sekuestron në këtë magazinë 30.5 kg drogë e konfiskuar në 26 thasë dhe arrestojnë shtetasin italian Gugliemo Mario i datëlindjes 1967. Sipas përgjimeve italiane më 4 mars 2017, Moisi Habilaj e Sabaudin Çelaj nisen drejt Shqipërisë me anijen “Bari” të shoqërisë së trageteve “Ventuoris Ferries” . Nisja bëhet në ora 23.00  nga porti i Barit e mbërritje në ora 08,00 në portin e Durrësit. Moisi Habilja e Sabaudin Çelaj udhëtojnë me makinën Audi A8 AA003 GB (në pronësi të Saimir Bashkim Tahirit) e listuar në mjetet e imbarkuara në traget, me biletën me numër 123551973.

Ndërkohë pasazhe të ndryshme në dosje se si Moisi Habilaj i tregon bashkëpunëtorëve të tyre italianë se sa e thjeshtë është të trafikosh mes Shqipërisë pasi policët janë të korruptuar. Gjatë bisedës mes Moisi Habilaj dhe Sebastiano Greco, Moisiu i thotë se nëse shkon në Shqipëri ta kuptojë se dosja është e korruptuar. Madje në disa raste, është vetë shefi i policisë që i ndihmon të fusin në makina thasët me lëndë narkotike. Siç është dokumentuar në dosje, në maj të vitit 2015, peshkarexha italiane “Fatima” është ankoruar në gjirin e Porto Palermos, ku pasi është ngarkuar me lëndë narkotike është nisur në drejtim të Italisë. Hetimet kanë nisur në vitin 2013 dhe gjatë kësaj kohe, policia italiane ka arritur të bllokojë 3500 kg kanabis. Hetuesit kanë zbardhur edhe procesin e kultivimit të hashashit në Shqipëri, proces të cilin trafikantët kishin punësuar edhe femra.

Moisi Habilaj në shumicën e kohës qëndronte në Itali, ndërsa i vëllai, Floriani, merrej kryesisht me problemet që lindnin në Shqipëri. Në dosje përmendet takimi me një person të njohur si “Kapo” apo shefi i madh”, siç del nga përgjimet dhe jepte shpjegime mbi dështimin e transfertave e drogës dhe konfliktet e grupeve të tjera.

“Aha…fole direkt me të?, F: Më priti në 11:30, më dërguan edhe taksi të më merrnin

M: E çfarë të tha? F: Më pyeti si është situate , M: Që domethënë…?

F: Më tha që të mos shqetësohesha, sepse është çështje orësh dhe se të mos mendohesha shumë.

M: Duhet t’i thoshe që ne nuk kemi asnjë faj, këtë duhet t’i thoshe, F: Po ja thash që ne nuk kemi faj e më tha që ata e bëjnë qëllimisht që unë t’i telefonoj. F: Më tha, “ik i qet mos u shqetëso”.

Kjo e mësipërmja është një nga bisedat e grupit të “Habilajve” e cila tregon për mbështetjen e fortë që kishte kjo bandë me njerëz të lartë në pushtet.  Ndërkohë policia italiane nuk ka një shpjegim se kush është kapo që kontrollon dhe mban qetësinë. Mbetet që hetimet e Prokurorisë shqiptare për të zbuluar më tej se cilat ishin lidhjet e këtij grupimi me pushtetin.

 

Ndërkaq në studion e “Opinion” gazetari Basir Çollaku tha dy ditë më parë se edhe agjentët e antidrogës të intervistuar prej tij janë kërcënuar me shprehjen “na keni kundër edhe neve edhe shtetin”. Sipas Çollakut ka drejtues policie që kanë 4-5 milion euro në shtëpi, të fituara nga trafiku i drogës. Ai theksoi se këtë shumë ata e kanë grumbulluar në banesë, pasi kanë çuar taksat lart. Gazetari shtoi se ka pasur një dëshmi të një agjenti të antidrogës, i cili i tregoi se kupola e policisë është e korruptuar.Kështu në dëshminë e publikuar  të Nazëraj është hedhur dritë mbi çështjen e Habilajve dhe implikimin e shtetit.  Ish-agjenti i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë Fier, Antonio Nazeraj në pjesën e dytë të intervistës dhënë për “GSH” rrëfeu se si ua shpërndanin shefat e policisë trafikantëve farën e kanabisit duke përfituar 30% .

“Bënin takime këto grupe trafikantësh, këtë banda që operonin në trafikun e drogës, bënin takime periodike me eprorë të Policisë së Shtetit, kundrejt pagesave dhe shpërblimeve.  Ka qenë një bord i mafias, pothuaj e quaj unë me eprorët e Policisë së Shtetit dhe trafikantëve të drogës. Në dijeninë time këto mblidheshin një herë në muaj. Ato kishin vende të veçanta që mblidheshin, nëpër hotele, restorante, me aq informacion që kisha unë. Këta ndanin detyra dhe linin detyra, krimi merrte detyrat, që u linin këta krerët e lartë të policisë, ndanin edhe pjesën e tepsisë më saktë, se sa ishte gjoba, sepse kjo ishte pothuajse një gjobë kundrejt trafikantëve të drogës, ishte edhe gjobë edhe ndarje detyrash mes tyre, ndarja e detyrave dhe hapja e rrugës për trafikun e drogës”, thuhej në dëshminë e ish-oficerit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here