Në reportazhin e publikuar së fundmi, gazetari Nate Tabak bashkohet me një grup të policisë shqiptare, teksa nisen për të kryer një aksion anti-kanabis, në zonën e Krujës. Në krye të aksionit paraqitet Eltoni, një oficer policie rreth 40 vjeç, mbiemrin e të cilit gazetari nuk e jep për të mbrojtur identitetin.
Pas përshkrimeve të gjata të kësaj aventure “në vendin e drogës”, Tabak shkruan se Shqipëria është furnizuesi më i madh i marijuanës në Europë, gjithmonë sipas të dhënave zyrtare të Europol.
Pasi përshkruan me detaje aksionin dhe zbulimin e një fushe me hashash në Krujë, gazetari tregon se si Eltoni shkon në një shtëpi të bukur pranë fushës, por nuk zbulon asgjë për pronarët e mundshëm të hashashit.
Teksa po ktheheshin nga fshati Noje i Krujës, pasi kanë djegur hashashin, policët përballen me një incident të krijuar nga të rinjtë e fshatit.
Disa tipa që qëndrojnë jashtë kafenesë nisin të bërtasin dhe të shajnë në drejtim të makinave të policisë.
Pas kësaj oficeri përgjegjës I aksionit Eltoni, frenon makinën dhe së bashku me policët e tjerë, dalin e përballen me të rinjtë.
Një prej tyre i thotë troç policisë, se po i shkatërrojnë me këto aksione.
“Ne jemi vetëm fshatarë. Shkoni në Tepelenë, një qytet në jug, atje ku qeveria akuzohet se mbron rritësit e hashashit”, akuzojnë të rinjtë.
Pas disa minutash tension, policët largohen, por tema vazhdon të diskutohet brenda në makinë me gazetarin amerikan që bëhet kurioz për këtë zonë të vendit, Tepelenën, ku qeveria mbron kutivuesit e hashashit.
Eltoni thotë se nuk i intereson debati mediatik në lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, që akuzohet se ka ndihmuar një grup trafikantësh dhe se sheh vetëm detyrën që ka.
“Ky takim me fshatarët i la banorët të frikësuar, por Eltoni nuk iu afrua zbulimit të ‘peshkut të madh’,” e mbyll reportazhin gazetari.