Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi nga foltorja e Kuvendit kryeministrin Edi Rama se po i krijon hapësira krimit të organizuar të pastrojë paratë përmes projekteve të qeverisë. Basha tha se forma më e rrezikshme e krimit nuk është një grup kriminelësh me armë në dorë që grabisin me forcë apo që transportojnë drogën, por kur bëhen bashkë krimineli, qeveritari dhe bankieri dhe bien në ujdi për të plaçkitur dhe kontrolluar një vend të tërë. Sipas Bashës, kjo është faza ku ka hyrë krimi në Shqipëri.
“Po formalizohet trekëndëshi qeveri-sistem bankar-krim i organizuar përmes projektit 1 miliardë. Justifikimi për projektin është diabolik, Rama deklaron se nuk ka para dhe e vërteta e hidhur është se vetëm krimi ka para. Rrënimi ekonomik i Shqipërisë është aseti më i madh që ka krimi sot.
Krimi po kap ekonominë. Aktivitetet kriminale nuk zhvillohen më mes maleve, por në sheshet dhe bankat në qendër të Tiranës. Forma më e rrezikshme e krimit të organizuar nuk është më një grup që grabit me pistoletë në dorë, por kur bëhen bashkë krimineli dhe politikani”, theksoi Basha.
Në vijim ai shtoi se Edi Rama po përpiqet të ndryshojë çdo gjë për të mos ndryshuar asgjë, siç thotë një shprehje siçiliane.
“Krimi është sofistikuar dhe ka evoluar në mënyrë të frikshme. Droga është depozituar në tunele dhe depo, ndërsa preferenca e krimit është heroina dhe kokaina. Po shfrytëzohen të njëjtat linja si në rastin e kanabisit, e njëjta mbështetje politike. Shikoni se çfarë po ndodh, në Itali dhe Holandë po kapen grupe kriminale shqiptare me qindra tonë heroinë dhe kokainë, ndërsa kryeministri po kontrollohet nga krimineli. E çfarë problemi ka një kriminel të blejë një doganier apo një ministër kur kontrollon kryeministrin. Ditën kur Rama hyri në godinën e kryeministrisë, krimi erdhi në pushtet, ndërsa do të lulftohet kur Rama të ikë nga zyra e Kryeministrit”, theksoi Basha.
Referuar rastit të bllokimit të shumës së 860 mijë eurove, Basha tha se Tahiri ia dha paratë që nuk donte tia kapte prokuroria një biznesmeni, që lëvizte me makinën e një biznesmeni tjetër, të dy kanë marrë tendera nga Sajmir Tahiri.
“Edi rama përkëdhelte Elvis Roshin, duke e cilësuar krimineli ynë i dashur. Tahirin se largonte nga krahu i tij i djathtë. Strehoi në kuvend dhe në krye të bashkive më shumë kriminelë se në burgun e sigurisë së lartë. Tani që e vërteta e kanabizimit të vendit ka marrë dhenë, pasi i mashtroi shqiptarët me shëndetësinë falas, tani po mundohet të vërë në skenë një mashtrim të madh, deklaroi se do të çlirojë Shqipërinë nga krimi. Ata që i mashtruan shqiptarët për 4 vjet duatrokitën me sytë poshtë, pasi ata e dinë se Rama ka lidhjet me kriminelët”, tha Basha.