Edi Rama ua ka falur Shqipërinë dhe kufijtë e saj kriminelëve. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, gjatë një takimi të zhvilluar me strukturat e kësaj partie në Fier. Vasili akuzoi Ramën për fikjen e radarëve që të bëjnë drogë nga të gjitha anët, dhe sot kjo është gjëja që duhet t’iu bëjë merak më shumë se çdo gjë tjetër, pasi është shqetësuar një Evropë e tërë.
“Fatkeqësisht kjo Shqipëri në këtë mënyrë si drejtohet nuk është Shqipëria e të rinjve, nuk është as Shqipëria jonë e njerëzve të pjekur, nuk është Shqipëria e asnjërit, sepse ne kemi përpara një gjë shumë të thjeshtë, në kohë të vështira dhe në momentet kur filloi e ashtuquajtura reforma e energjisë elektrike, tani ka filluar dhe uji. Njerëzit u burgosën, ju e mbani mend edhe për 10 mijë lekë, edhe për 20 mijë lekë, edhe për 30 mijë lekë.
Nuk hezituan t’i fusin në burg, pati nga ata të futur në mënyrë të padrejtë, të cilët u traumatizuan nga burgu dhe humbën dhe jetën në burgje. Ju e dini që ka pasur raste të tilla.
Një mal me horrllëqe të një ish-ministri gangster atje u bënë bllok të tërë, mbajtën dhe fjalime pa fund edhe thanë, krimineli përjashta, ju të varfrit shkoni në burg, prandaj jemi ne të gjithë shumë të shqetësuar sot, prandaj kryetare e partisë tha jo vetëm fjalë politike, por tha dhe fjalë zemre, pasi jemi të shqetësuar si politikanë, por jemi më të shqetësuar si prindër, si vëllezër se kemi vëllezërit dhe motrat tona, po kemi detyrimet tona për të afërmit tanë, për miqtë e rrethet shoqërore tona, për të gjithë ata që kemi ndarë të mira e të këqija, ata me të cilët ndajmë edhe gëzimin e dasmave, por dhe hidhërimin e mortit.
Për fat të keq sot nuk ka në qeverisje socialistë, sot ka rilindës që kanë rilindur krimin në Shqipëri. Këta gangsterë që qeverisnin, kur të shkojnë atje të bëjnë një kontroll që të ruajnë veten e tyre, do fusin këta viktimat, siç e kanë bërë e siç e keni parë.
Nuk kemi nevojë të themi fjalë të mëdha. Fjala është, një Shqipëri e pastër, apo një Shqipëri me krim? Një Shqipëri që qeveriset nga njerëz të ndershëm në krye të vendit, apo një Shqipëri që qeveriset nga një Kryeministër, i cili e përqafon, e mbështet, e mban në gji krimin dhe ata që e mbështesin brenda dhe jashtë qeverisë së tij.
Ky pushtet ditët i ka të pakta por duhet të luftojmë që t’ia bëjmë ditët edhe më të pakta dhe të shpëtojmë vendin nga ditët e zeza që mund t’i vinë më pas”, tha Vasili.