Pas dy ditësh bisedimesh mes dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias u ra dakord që të vijohet dialogu. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, bisedimet e radhës do të zhvillohen në Shqipëri.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, zhvilluan bisedime në Kretë më 10-12 nëntor 2017, duke u fokusuar në çështjet e hapura dypalëshe. Gjatë bisedimeve, të cilat u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, u krye një punë substanciale. Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive duke u mbështetur në vlerat dhe normat evropiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre. Bisedimet përbënë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese prej një kohe të gjatë do të vijojnë.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, u ra dakord që ministrat të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkret përpara. Bashkëlidhur do të gjeni fotografinë nga takimi i përbashkët i dy ministrave.