Ai shpjegon se niset çdo ditë në orën 05:30 të mëngjesit dhe arrin në komunën e Poroçanit rreth orës 07:00, por kjo nuk është pjesa më e vështirë.
Mësuesi shpjegon se më pas duhet t’i ngjitet malit në një rrugë tejet të vështirë gjatë së cilës ka hasur shpesh edhe ujqër.
Në fshat, Skerdilajdi shpjegon se ka gjetur një shtëpi të pabanuar, kushtet e së cilës janë skandaloze.
Puna për të është nder dhe nuk dëshiron ta lërë pavarësisht shumës qesharake, simbolike të shtetit prej 60 mijë lekësh të vjetra.
Duke marrë parasysh që moti fillon të përkeqësohet e temperaturat të ulen, detyra e vështirë e mësimdhënies do të kthehet e pamundur.
Ai kërkon ndihmë që rasti i tij, ashtu si edhe i shumë mësuesve të tjerë në Shqipëri, të bëhet publik dhe të sjellë ndërgjegjësim të shtetit për kushtet e punës.
Mësuesi ka shkruar për joq.al:
Pershendetje JOQ, unë quhem Skerdilajd Murati dhe jam një mësues, i cili bën 6 orë udhëtim në ditë. Nisem nga qyteti i Gramshit nga ku banoj në orën 5 e 30 të mëngjesit drejt fshatit Poroçan. Aty arrij në orën 7.00. Më pas më duhet të bëj një rrugë tepër të vështirë rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë, duke ngjitur malin.
Aty jap mësim unë. Fshati quhet Gjerë i komunës Poroçan… Dhe çfarë më ka siguruar shteti? Asgjë. Thjesht një shumë simbolike prej 60 mijë lekësh në muaj, me të cilën e paguaj vetëm transportin. Shikojeni pak. Jam i vetëm në mes të pyllit. Më thoni ju çfarë të bëj?
Atje në fshat kam gjetur një shtëpi, në të cilën nuk jeton njeri, por e kam tepër të vështirë të jetoj. Kushte skandaloze. Vetëm disa krevate janë, asgjë me tepër. Nuk kam as televizor, as frigorifer, asgjë. Por, punën nuk dua ta lë, sepse kam nevojë…
Ta marrin vesh të gjithë çfarë vuajtje kalojmë, nuk kam çfarë humb më… Nuk po gjej dot një zgjidhje… Ta shohë ministrja mbase i vjen keq për mua.
Që ta dini sot rrugës në pyll më zuri syri një ujk…, por askush s’do ta dijë këtë dramë që po kaloj dhe nuk po gjej një zgjidhje… Ju lutem më ndihmoni, të paktën mos të rri pa punë, të bëj një punë tjetër se nuk po ja dal dot.