Është hapur nga Prokuroria e Novarës një hetim lidhur me rastin e minorenëve shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit, të cilët që prej kësaj vere po mbërrijnë gjithnjë e më të shumtë në qytete, sinjalizimi në prokurori ka ardhur direkt nga Bashkia e Novarës.
Këshilltari bashkiak Emilio Iodice shpjegoi se janë 50 minorenë, prej të cilëve 40 nuk kanë kërkuar azil, për një shpenzim disi më pak se 200 mijë euro.
«Që prej qershorit – tha Iodice – kemi parë një fenomen të ri, kanë ardhur rreth 15 minorenë shqiptarë, të cilët shoqëroheshin për shembull nga mamaja me avion deri në Novara ose me traget në Pulja dhe të gjithë me pasaporta të rregullt”.
Më pas fëmijët braktiseshin përpara komisariatit.
«Dyshimi – tha Iodice – është se mund të ketë një trafikim të këtyre fëmijëve, nga ana e organizatave që merren me sjelljen e tyre deri në Itali, konkretisht në Novara, në mënyrë që të trajtohen më mirë, duke qenë se në vendin e tyre mund të mos e kenë patur këtë mundësi. Ndaj e kemi çuar çështjen në Prokurori”.