Puna në minierë është një nga 10 profesionet më të vështira në botë. Historikisht industria minierave ka qenë sektori më i vështirë jo vetëm përsa i përket kushteve të rënda higjenike, por përfshi këtu edhe ato të aksidenteve vdekjeprurëse. Puna në minierë është e vështirë jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës. Është punë që ka aksidente, me kushte të vështira ku vërtet minatorë sakrifikojnë për investitorët privatë. Kjo është shtresë që privohet nga shëndeti i tyre pikërisht për këto sakrifica, gjë që ka qenë e pambuluar në asnjë ligj. Fatkeqësisht, në Shqipëri ka një fenomen, që është rrezik potencial edhe për vitet që vijnë. Koncensionerët nuk zbatonin detyrimet e reabilitimit.
Që në mars të këtij viti është paraqitur një draft për statusin e minatorit por nukmarrë në shqyrtim ashtu siç ka ndodhur në legjislaturat e kaluara.
Minatorët e Bulqizës shumë herë kanë paralajmëruar greva për statusin e sigurinë në punë.700 minatorët kanë këmbëngulur vazhdimisht për plotësimin e kërkesave të deklaruara prej kohësh mirëpo gjithmonë kanë mbetur pa një përgjigje.
“Dy janë kërkesat tona për qeverinë, korrigjimi i moshës dhe vjetërsisë së daljes në pension të minatorëve në 50 vjeç me 10 vite punë në nëntokë, dhe e dyta dhënia e statusit të minatorit”, -ka deklaruar kryesindikalisti në protestën e fundit . Eksperienca 62 vjeçare e minierës së Bulqizës është përballur fatkeqësisht me humbje të mëdha në njerëz.Gjithashtu ka treguar dhimbshëm se minatorët që kalojnë moshën 50 vjeç kanë qenë të paaftë për të punuar në nëntokë.
Edhe ditën e sotme një tjetër i ri ka humbur jetën në minierën e Bulqizës. Situata sa i takon sigurisë së jetës së punonjësve të nëntokës paraqitet ende problematike. Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj deklaroi se deri më tani kanë humbur jetën në galeri 476 persona, ndërsa 500 të tjerë janë gjymtuar si pasojë e aksidenteve në punë.
Ai thotë se kushtet në të cilat punojnë minatorët janë ende të vështirë.
“Pavarësisht protestave dhe reagimeve të vazhduara, situata ende nuk është përmirësuar, në drejtim të garantimit të sigurisë së jetës së minatorëve”, u shpreh Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Minatorët e Bulqizës i bëjnë apel qeverisë që të miratojë statusin e minatorit dhe të rritë pensionet për këtë kategori, në të kundërt thonë se do të zhvillojnë protesta.