Vëllezërit Prifti vijnë me “Ty të desha ty të dua”, Endri: Duket sikur këndohet për jetën time

0
632

Intervistoi: Irini Meçe

Këngëtarët e njohur dhe kaq të dashur për publikun Endri dhe Stefi, kanë publikuar vetëm para pak ditësh këngën e tyre të re të titulluar “Ty të desha ty të dua”. Ky është projekti i radhës i vëllezërve korçarë, të cilët vetëm pak kohë më parë publikuan këngën “Bëj qejfin tamam”. Duket sikur ata nuk kanë të ndalur asnjëherë.  Endri dhe Stefi, para se të sillnin këto dy klipe, kanë zgjedhur që krahas koncerteve dhe mbrëmjeve festive, fundjavën t’ia dhurojnë kryeqytetasve dhe jo vetëm, pasi në zemër të Tiranës, tek ish-Mumja, kanë hapur biznesin e tyre, “Live Show STATUS”. Endri Prifti, një nga karakteret më të spikatura të skenës muzikore shqiptare dhe të muzikës live, vjen në këtë intervistë për gazetën ‘Standard’ për të na folur më shumë rreth këngës së tyre më të re, rreth ‘Live Show Status’, por jo vetëm. Me Endrin jemi ndalur dhe jemi kthyer pas në kohë, tek momenti i tij i parë në skenë, kemi folur rreth karrierës së tyre në Greqi dhe për projektet e radhës.

Endri sapo keni publikuar këngën tuaj më të fundit “Ty të desha ty të dua” në bashkëpunim më vëllain tuaj Strefi Prifti. Si ka lindur kjo këngë?

Është një këngë e gëzuar për të gjithë popullin. Secili mund ta gjejë veten tek kjo këngë. Tekstin e kam shkruar unë vetë, muzikën së bashku me Stefin. Unë e gjej shumë veten tek kjo këngë dhe duket sikur shkruhet e këndohet për jetën time. Është një këngë që e bëjmë me vetëdije të plotë, me këtë ritëm çiftetel do theksoja, duke marrë parasysh se ne gjithmonë kemi nxjerrë herë pas here motive të tilla. Këto i shkruajmë dhe i këndojmë duke pasur parasysh gjithë popullin shqiptar dhe nuk duam t’i veçojmë. Duam të këndojmë dhe gëzojmë me të gjithë.

Që prej datës 12 tetor ka startuar ‘Status live show’ ku publiku tashmë ka mundësinë t’ju dëgjoj live këtë sezon. Përveç jush interpretojnë edhe këngëtarë të tjerë. Mund të na tregoni si fillim si ka lindur e gjithë kjo ide për të ngritur lokalin tuaj?

Ideja ishte e ortakëve tanë që para sezonit të verës dhe na u duk shumë ofertë e mirë për të menaxhuar dhe punuar në një lokal kaq prestigjioz dhe në një pozicion shumë të mirë, në qendër të Tiranës.

Po për sa i përket përzgjedhjes së këngëtarëve të tjerë?

Përzgjedhjen e këngëtarëve e bëmë së bashku me vëllain, Stefin. Kryesisht ai merret me këto punët e biznesit.

Pse emri ‘Status’?

Emri ‘Status’ sërish ishte mendimi i Stefit. Arsyeja ishte që patjetër duhej ndryshuar nga emri shumë i bukur që kishte (Mumja), pasi nga një klab me dj diskoteke, u shndërrua në live show. Kështu që duhet të merrte edhe emërtim tjetër.

Cili është programi ,reporteri muzikor që ju interpretoni live përpara publikut?

Për programin është punuar shumë. Fillon me disa këngëtarë të rinj të talentuar, me muzikë si shqiptare dhe të huaja moderne. Këtë e sjellin në skenë: Reinaldo Gaci, Arjeta Pellushaj, Toni dhe fillon pastaj me këngëtarë profesionistë si Sheila Haxhiraj, Era Rusi edhe ne, duke alternuar edhe muzikën argëtuese e popullore qytetare të gëzuar.

Në repertorin tuaj muzikor numërohen tashmë shumë këngë që publiku i ka përqafuar menjëherë. Por nga këngët që keni realizuar, ju keni ndonjë këngë të preferuar qoftë për muzikën apo dhe për përmbajtjen që ka?

Nga të gjitha këngët tona, unë nuk mund të veçoj asnjë. Janë të gjitha shumë të bukura. Ne kemi një veçanti se shkruajmë muzikë dhe këndojmë në shumë rryma: si qytetare popullore, si serenatat, si baladat, rock etj. Na pëlqen gjithçka që është e bukur.

Kur dy djemtë e tu dëgjojnë këngët tuaja si ndihen, çfarë të thonë në lidhje me muzikën që ju bëni?

Djemtë e mi e adhurojnë muzikën tonë. Nuk e shprehin, as nuk mburren në shoqëritë e tyre, por janë shumë krenarë, sepse edhe gjithë shoqëria e tyre dëgjojnë me shumë dashuri këngët tona dhe i adhurojnë ato.

Le të kthehemi pak pas në kohë. Tek momenti juaj i parë që ju jeni shfaqur para publikut dhe keni kënduar. Na tregoni pak në lidhje me emocionet që keni patur dhe cila ka qenë kënga juaj e parë që keni kënduar?

Unë kam kënduar që në çerdhe. Kam qenë 5 vjeç, solist me korin e fëmijëve. Ka qenë festa e fëmijëve. Ka qenë një kohë tjetër, regjim tjetër, rregulla të tjera, diktatura, rregulli dhe disiplina e muzikës ishte shume ndryshe. Nuk më kujtohet kënga që kam kënduar, por kam kujtimet në fotografitë bardh e zi siç ishin atëherë.

E kishit menduar se do të arrinit suksesin që ju sot keni?

Ëndrra ime ka qenë gjithmonë muzika. Gjithë kjo histori dhe gjithë kjo krijimtari dhe gjithë ky repertor këngësh dhe kaq karrierë të gjatë që kemi aktualisht, unë prap them se akoma jemi në fillimet tona, për sa i përket bagazhit dhe frymëzimit që kemi të pashtershëm për të krijuar këngë gjithmonë edhe më të bukura.

A ka qenë një vijë e drejt rruga juaj drejt suksesit në tregun muzikor?

Rruga jonë ka qenë gjithmonë e gjithmonë, çdo vit e pas viti në ngritje.

Ju karrierën tuaj muzikore e keni zhvilluar edhe në Greqi. Pse keni vendosur që të ktheheni në Shqipëri dhe të mos e vazhdonit atje karrierën tuaj?

Ishin 10 vite karrierë super të suksesshme në Greqi. Për disa vite në qytetin e Larisas u quajtem risia e qytetit. Ishim pa dokumenta dhe vetë qeveria na mbështeti e na udhëheqën që të punonim e këndonim në atë qytet. Këndonim në një nder klubet më të famshme të Greqisë në Selanik për 4 vite me radhë, Millos. Kishte qenë fabrikë mielli dhe të gjitha kapanonet ishin shndërruar në lokale. 7 ditë në jave. Aty nuk mungonte asgjë. Kishim një sukses të paimagjinuar. Nuk merrnim dot një ditë pushim. Ne verë shkonim 4 muaj në një ndër ishujt më të bukur, Skiathos. Mrekulli, punë, qef, njohje me shumë figura të ekranit, aktorë të mëdhenj, këngëtarë nga më në zë në atë kohë, darkonim e argëtoheshim sëbashku .

Ardhja këtej ka qenë thjesht rastësi. Ishte një periudhë para se të shkonim në ishull. Menduam dhe thamë të shkojmë njëherë në Korçën tonë të dashur se na mori malli. Në atë periudhë ka qenë pranverë, takuam miqtë dhe shokët tanë, të cilët u bënë edhe sebebi që ne mbetëm në Shqipëri. Nga dashuria që kishin për ne, donin si e si të na mbanin aty. Morën një lulishte të madhe tek parku ‘Rinia’ dhe për disa ditë e kthyem në restorantin dhe argetimin më të mirë të qytetit. Histori e gjatë dhe shumë e bukur që s’ka mbarim dhe harrim.

Si e shihni tregun muzikor shqiptar dhe sipas gjykimit tuaj nëse do krahasonim tregun shqiptar me tregun muzikor në Greqi duke qenë se ju vet e keni prekur çfarë komenti do të bënit?

Nuk ka lidhje tregu shqiptar me atë grek. Së pari aty nuk këndon asnjëri me playback, siç bëhet këtu katrahurë me mashtrime. Vetë populli është i zgjuar dhe zgjedh vetë më të mirët. Janë koshientë dhe vlerësojnë artistët e vërtetë. Këtu është krejt nje farse genjeshtare e vetë mediave, për të cilën jam lodhur dhe nuk dua të diskutoj më.

Endri si është një ditë e juaja?

Një ditë e imja fillon dhe nuk dihet si mbaron, me gjithë të mirat, duke nisur nga hallet e problemet bashkë.

Mund të na zbuloni ndonjë projekt muzikor që do të vijë së shpejti nga ju?

Janë edhe 4-5 këngë të tjera tonat në disa studio 90 % të realizuara. Shumë shpejt do dalin edhe ato. Më pas vijnë dy festivalet e mëdha të vendit: Kënga Magjike dhe Festivali Kombëtar, në të cilët jemi pjesëmarrës tek të dy. Shumë punë përpara, por jemi shumë të sigurt që këngët do hynë direkt në zemrat dhe jetët e gjithë publikut.

Direkt pas Festivalit Kombëtar do të nisemi për 15 ditë në një turne pothuajse në gjithë Amerikën. Publiku aty na adhuron e na pret vërtet si artistë të mëdhenj, me respekt e dashuri siç meriton një artist i madh të trajtohet.
Ndihemi shume krenarë. Më pas në 15 shkurt nisemi për turneun tjetër në 6 shtete koncerte të Australisë.

Ju faleminderit shumë dhe ju uroj ju dhe gjithë lexuesit të kenë shëndet e gjithë të mirat. Shumë dashuri kanë dhe do kenë gjithmonë nga ne.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here