Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me grupin reformator të Akademisë së Shkencave në lidhje me reformën në këtë institucion. Gjatë fjalës së tij akademiku dhe profesori Artan Fuga tha se reformimi i Akademisë së Shkencave duhet të bëhet përmes rithemelimit. Ai tha se duhet reformim dhe më pas zgjedhje. Profesori Artan Fuga parashtroi edhe disa pika të cilat duhet të përfshihen për reformimin.
“Jemi dakord që reforma ka mbetur në mes. Mendoj se janë disa çështje që duhet të diskutohen dhe të jenë pjesë e reformës. 1. Duhet reformë dhe rezultate. 2. Reforma duhet të kapë auditin e përdorimit të fondeve, sepse ende nuk kemi mundësi të kërkojmë fonde të tjera. U bënë vite që kam kërkuar këtë. 3. Reforma e personalitetit që ka mbetur në mes të rrugës. A mundet që personaliteti i akademisë të mos ketë dekorata? 4. Reforma e statusit të akademikut dhe statusi i tij. Pse ka frikë akademia të bëjë thirrje për anëtarë të rinj. A do dalin akademikët në pension si të tjerët? 5. Reforma e matjes së punës shkencore. Ku janë kriteret e performancës? 6. A duhet të përfshijë dhe inovacionin kjo Akademi. 7. Reforma e legjitimitetit. Kush e përfaqëson Akademinë?. Keni të drejtë kur thoni se Akademia nuk është zhvilluar normalisht. Unë propozoj që reformimi të bëhet përmes rithemelimit. Në fillim reformim më pas zgjedhje”- tha Artan Fuga.