Vladimir Putin ka kërkuar që industria ruse të jetë e përgatitur për të ndërruar prodhimin sipas nevojave ushtarake, duke paralajmëruar se të gjitha “sipërmarrjet në shkallë të gjerë” duhet të jenë gati për konflikt.
Duke folur në një konferencë të liderëve ushtarakë dhe tregtarëve të armëve në Soçi, presidenti rus tregoi se si të gjitha industritë duhet të jenë të gatshme të bëjnë detyrën e tyre për atdheun.
“Aftësia e ekonomisë sonë për të rritur prodhimin ushtarak dhe shërbimet në një kohë të caktuar është një nga aspektet më të rëndësishme të sigurisë ushtarake”, tha Putin. “Për këtë qëllim, të gjitha ndërmarrjet strategjike dhe thjesht në shkallë të gjerë duhet të jenë të gatshme, pavarësisht nga pronësia”.
Putin kujtoi se ai e kishte theksuar këtë çështje që në vitin 2015, duke dhënë udhëzime për modernizimin e objekteve prodhuese, për të ndërtuar rezerva të resurseve materiale dhe teknike, si dhe për të siguruar transportimin e trupave. Deklarata për sipërmarrjet erdhi një ditë pasi Putin tha se ushtria ruse duhet të kishte “pajisjet më të mira, më mira se ekuivalentet e huaja”.
Presidenti rus u shpreh se “Nëse duam të fitojmë, duhet të jemi më të mirë”. Rritja e investimeve nga Kremlini e ka çuar Rusinë në vendin e tretë me shpenzimet më të mëdha ushtarake në botë, me një buxhet të përgjithshëm prej gati 70 miliardë dollarësh në vitin 2016, siç u deklarua më parë gjatë këtij viti.
Megjithatë, shpenzimet e Moskës mbeten shumë prapa Kinës, e cila investon 215 miliardë dollarë në vit për Ushtrinë dhe pas SHBA-ve, me 611 miliardë dollarë. Putin ka investuar shumë në ushtrinë e tij në vitet e fundit, duke hedhur 20 trilionë rubla në modernizimin dhe zëvendësimin e 70 për qind të forcave dhe pajisjeve ushtarake, të cilat ishin ato të kohës sovjetike, një modernizim që do të zgjasë deri në vitin 2020.
Shumica e pajisjeve të tij moderne u shfaqën gjatë lojërave “Zapad”, përfshirë raketën “Iskander”, një armë e re që ka shkaktuar shqetësim nga SHBA. Raketat, të lëshuara nga Kapustinit Yar në Rusinë jugperëndimore, goditën një objektiv testimi në një distancë në Kazakistan, afërsisht 300 milje larg. /panorama