Të dhënat nga sistemi “TIMS”, zbulojnë se ish zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea udhëtoi edhe në makinën tip ‘Audi” me targa AA 003 GB. Udhëtimi ka qenë i përbashkët me Saimir Tahirin, i cili e merrte makinën që iu kishte shitur kushërinjve të tij, Habilaj.
Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kanë dalë bashkërisht për në Greqi, në datën 08 gusht të vitit 2014. Ata kanë dalë nga Shqipëria me traget, nëpërmjet Portit të Sarandës, pa makinë.
Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea janë kthyer nga Greqia në datën 16 gusht të vitit 2014. Por në kthim, kanë hyrë me automjetin AA 003 GB, nga pika e kalimit kufitar të Qafë Botës, në Sarandë.
Pra, daljen e kanë pa makinë dhe hyrjen e kanë me AUDI-n me targa AA003 GB. Lapsi raporton ecurinë e lëvizjeve të tyre në ato data sipas sistemit TIMS.
(08.08.2014- 16.08.2014)
DALJE
Dt. 08.08.2014- Saimir Tahiri, dalje nga Pika Kufitare e Portit Sarandë (Traget) për në Greqi, ora 9.33
Dt. 08.08.2014- Elona Gjebrea, dalje nga Pika Kufitare e Portit Sarandë (Traget) për në Greqi, ora 9.32
Pra, Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kanë dalë bashkërisht për në Greqi me traget (pa makinë).
Ndërkohë në datën 14 gusht të vitit 2014, Artan Habilaj ka dalë nga Shqipëria nga Pika Kufitare e Qafë Botës, në Sarandë për në Greqi, me automjetin AA 003 GB. Dalja është bërë në orën 10.51 minuta.
Habilaj është kthyer dy ditë më pas në datën 16 gusht nga Pika Kufitare e Sarandës për në Shqipëri, me traget, pa makinë.
Pra, Artan Habilaj shkoi në Greqi me mjetin e tij AUDI dhe u kthye me traget. Mjetin e përdori Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea që hynë në Shqipëri nga Greqia, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës, me automjetin AA 003 GB. Ata kanë hyrë konkretisht:
Saimir Tahiri në orën 13.31, dt. 16.08.2014
Elona Gjebrea në orën 13.34, dt.16.08.2014
është e qartë se Artan Habilaj është takuar me Saimir Tahirin në Greqi dhe i ka lënë automjetin me të cilin Ministri i Brendshëm u kthye së bashku me Elona Gjebrean.
Ndërsa Artan Habilaj, pasi i ka dhënë makinën Saimir Tahirit, është rikthyer në të njëjtën ditë në Shqipëri, por me traget.