Kryeministri Edi Rama do të deklaronte mbrëmjen e së enjtes se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj do të depozitonte një kallzim penal në prokurori, për dekonspirimin e operacionit në arrestimin dhe ndalimin e 3 zyrtarëve të policisë, në kuadër të hetimeve për dosjen Habilaj, që po kryhet nga Krimet e Rënda.
Një ditë pas deklaratës së Ramës, u raportua se ministri i Brendshëm ka firmosur kallzimin penal, i cili është dërguar përmes shërbimit postar në prokurori.
Por burime i thanë Syri.net se një kallzim i tillë nuk është bërë, të paktën deri të shtunën. Nuk dihet nëse kallzimi i ministrit të Brendshëm do të bëhet në ditët në vijim apo jo, por burimet shprehen se në drejtim të organit të akuzës nuk ka mbërritur një kërkesë e tillë.
Burimet theksojnë se ndoshta do të priten konkluzionet e një hetimi të nisur nga vetë SHÇBA për dekonspirimin e operacionit.
Tre ditë më parë, Krimet e Rënda firmosën urdhër-ndalimet për shtetasit:
– Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, 283/a dhe 333/a.
– Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.
– Vendimi i Gjykatës në mungesë për masën e sigurisë “Arrest në Burg” është nxjerrë për shtetasin Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.
Urdhër-ndalimet dhe Vendimet e Gjykatës mbajnë datën 21 nëntor 2017.