FOTO/Presidenti Meta merr pjesë si i Ftuar Nderi në Konferencën “Dita e Dialogut të Diasporës” në Këln

0
160

Presidenti Meta merr pjesë si i Ftuar Nderi në Konferencën “Dita e Dialogut të Diasporës” në Këln

25 nëntor 2017

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte i Ftuari i Nderit dhe folësi kryesor në Konferencën që u mbajt në kryeqendrën e Landit të North Rhine-Westphalen të Republikës Federale të Gjermanisë në Këln, me temë: “Dita e Dialogut të Diasporës”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve mes të cilëve ishte Nënkryetari i Bashkisë së Këlnit Ralf Heinen, Sekretarja e Shtetit gjerman Serep Guler, Ministri i Zhvillimi Ekonomik i Kosovës Valdrin Lluka, kryebashkiakë nga Shqipëria, Ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës si dhe Konsullja e Nderit Anduena Stephan e shumë përfaqësues nga diaspora shqiptare, Presidenti Meta e nisi fjalën e tij duke vënë në dukje se nuk mund të mungonte në këtë aktivitet për tri arsye: së pari, sepse ai zhvillohet në Gjermani, sot motori i zhvillimit të Evropës; së dyti, sepse ai zhvillohet në rajonin e Westphalias, Landit me popullsinë më të madhe në Gjermani dhe me një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi; dhe së treti, për shkak të prezencës domethënëse të diasporës shqiptare në këtë vend.
Presidenti Meta u shpreh se Shqipëria i mbetet borxhlije diasporës së saj, jo vetëm prej traumave të kaluara por edhe për mundësitë e kufizuara për mbështetjen e tyre. Presidenti theksoi se rritja e mundësive për një dialog më të dobishëm dhe rezultativ me diasporën, rrit gjithashtu potencialin që kjo e fundit të ketë një ndikim më të madh në zhvillimin, begatinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Institucionalizimi më tej i dialogut nëpërmjet Ministrisë së Shtetit për Diasporën është një urë e mirë bashkëpunimi, duke shpresuar që ajo të ndihmojë për ta bërë më të lehtë përballimin e trysnisë dhe presioneve që globalizmi ushtron sot ndaj ruajtjes së vlerave dhe traditave kombëtare.
Në këtë kontekst, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e promovimit të identitetit, trashëgimisë dhe gjuhës shqipe nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta me shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, etj.
Duke u ndalur tek rëndësia e ofrimit të shërbimeve ndaj bashkëkombasve tanë, Presidenti Meta renditi disa nga përmirësimet që janë bërë në këtë aspekt, përfshirë shërbimet e dixhitalizuara, por duke veçuar marrëveshjet dypalëshe për mbrojtjen e ndërsjellë shoqërore, si ajo e hyrë tashmë në fuqi me Gjermaninë. Presidenti theksoi se të tilla marrëveshje janë veçanërisht të rëndësishme për vende ku shqiptarët janë më të shumtë në numër, si Italia, Greqia, Anglia, etj.
Duke cilësuar si ambasadorët më të mirë at large, artistët, sportistët, krijuesit, që shkëlqejnë në skenat evropiane, dhe përçuesit me të mirë të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Presidenti Meta bëri gjithashtu thirrje për një përpjekje të përbashkët për të përmbysur raportin e “brain drain”-it me “brain gain” në Shqipëri.
Presidenti u shpreh se beson tek aftësitë e mëdha të diasporës për një sukses më të madh në përmirësimin e imazhit të vendit, por duke shpresuar që të jetë veçanërisht lokomotivë e përshpejtimit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në fund, Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen që Bashkia e Këlnit dhe në tërësi Gjermania ofron për shqiptarët që jetojnë atje, duke theksuar se marrëdhënia e vërtetë është ajo ndërmjet qyteteve dhe qytetarëve. Presidenti u shpreh se ne mbështetemi tek Gjermania për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, ashtu sikurse Gjermania mund të mbështetet tek Shqipëria për të ardhmen evropiane të Ballkanit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here