Media greke: 1.6 ton drogë e sekuestruar në Greqi, grupi ka lidhje me Habiljat

0
195

Zbardhen të tjera detaje nga hetimet e drejtësisë greke lidhur me kapjen e gomones me 1.6 ton drogë në ujrat e Jonit pranë Korfuzit, tre ditë më parë. Sipas mediave greke koka e grupit të trafikantëve është një shqiptar.

“Nga ajo që del prej hetimeve, grupi mafioz e kishte qendrën në Athinë”, shkruan një nga mediat online më të mëdha greke Protothema.gr.

“Bosi i grupit është një shqiptar, por në të rol të rëndësishëm kanë edhe disa biznesmenë të njohur grekë. Grupi trafikonte tonelata me kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, Greqisë deri edhe Turqisë. 1.6 ton drogë që u kapën të shtunën kishin destinacion Stambollin. Autoritet janë vënë në ndjekje të ‘big boss’ që është shqiptar dhe jeton në një vilë luksoze në bregdet”, shkruan Prothotema.

Autoritetet e drejtësisë greke që po hetojnë çështjen, shprehen se pavarësisht se i kanë dhënë një goditje të fortë grupit të trafikantëve, kanë ende shumë punë pasi disa prej kokave të grupit nuk janë kapur.

Madje ata kanë dyshime, bëjnë të ditura burime pranë grupit hetimor, se kjo organizatë ka shtrirje në sfera të larta të botës së krimit por edhe biznesit si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. “Kjo është një nga ato çështje që nuk kanë tavan”, ka deklaruar një nga hetuesit grek.

Ndërkohë gazeta tjetër në Greqi Kathemirini shkon edhe më tej, duke thënë se banda prej 11 personash të arrestuar në Greqi ka lidhje me vëllezërit Habilaj. Duke iu referuar autoriteteve vendase, Kathimerini thekson se “të dyshuarit janë të lidhur me rrjetet e trafikimit të drogës që prokurorët në Shqipëri i kishin lidhur muajin e kaluar me ish-ministrin e Brendshëm”.

“Trafiku i kësaj sasie droge do të bëhej më herët por trafikantët u trembën nga zhvillimet në Shqipëri dhe Itali, ku u arrestuan një pjesë e bandës së Habilajve”, shkruan Kathemirini.

Gjithashtu mediat në shtetin grek shkruajnë se i njëjti rrjet, duke bashkëpunuar me Habilajt, ka bërë edhe dy tentativa të tjera për të trafikuar drogë në drejtim të Greqisë dhe më pas në Turqi, konkretisht në muajin prill dhe e fundit në muajin shtator të këtij viti.

6 shqiptarët e arrestuar, bashkë me 2 italianë, 2 grek dhe 1 bullgar kishin blerë një gomone të fuqishme dhe po bënin transportin e kanabisit, që dyshohet se ishte nisur nga Himara. Në gomone ishin dy shqiptarë nga Saranda dhe një italianë. Njëri prej skafistëve nga Saranda është Alban Baxheri, siç mund ta shohim në këtë foto, ndërkohë që ende nuk dihen emrat e 5 shqiptarëve të tjerë.

Në gomone skafistët kishin armë dhe kanë qëlluar Policinë greke gjatë aksionit të zhvilluar mesnatën e së shtunës. U deshën të shtënat e snajperave te policisë greke duke lënë të plagosur një të ri nga Saranda, në mënyrë që skafistët të ngrinin duart lart dhe të dorëzoheshin. Ndërkohë Policia e Sarandës ka kryer kontroll në banesat e Alban Baxherit dhe skafistit tjetër nga Saranda, por sipas burimeve nuk janë gjetur prova.

Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe një biznesmen grek, Spiros Kardamis, 63-vjeç, i dyshuar si financues i grupit kriminal.

Mësohet se ai ka qenë pronar i një restoranti në Mykonos, por e ka shitur ndërsa kishte hapur edhe një restorant në zonën më të pasur të Athinës, Kolonaki. 63-vjeçari akuzohet nga policia greke se ishte personi që investonte në blerjen e gomoneve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here