Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi në Kuvend se ” Edi Rama dhe Fatmir Xhafa nuk mund të luftojnë ligjin”, pasi operacionet policore dekonspirohen dhe se kjo ishte edhe arsyeja që Policia greke nuk i njoftoi për operacionin e fundit kur kapi 1.6 ton drogë nga Shqipëria. “Grupet kriminale vazhdojnë pa i hyrë gjemb në këmbë, trafikun e drogës. Policia greke e tha qartë se skafi me 1.6 ton drogë u kap vetëm kur ata vendosën të mos njoftonin autoritete shqiptare, vendosën të mos e njoftonin këtë”, tha Basha duke treguar Ramën.
NGA FJALA E BASHES:
Këto ditë një kompani fantazim mori 5 milionë euro nga Buxheti i shtetit pa bërë asgjë. Asgjë: as ka filluar ndërtimin, as ka gërmuar themelet. Asnjë investim. 4.8 milionë euro në dorë! Si ka mundësi që qeveria t’i japë 4.8 milionë euro nën dorë një kompanie që s’ka bërë asgjë dhe të mos mendojë për fëmijët që rropaten shpateve me krom. Sepse pas asaj kompanie qëndron Arben Ahmetaj dhe shefi i tij Edi Rama.
Po ashtu, qeveria ka vendosur të japë 3 milionë euro për të zëvendësuar palmat e thara.
8 milionë euro të mjaftueshme për të paguar pagat e familjeve, fëmijët e Bulqizës që rropaten.
Ata vazhdojnë të rropaten se ëkto para shkojnë në duart e dy klientëve të Edi Ramës. Këtë mund ta bëjë vetëm një qeveri që i ka dhënë shkelmin qytetarëve të vet. E pa gjithë Shqipëria sa pak dinjitet dhe respekt kanë burrat dhe gratë e kësaj qeverie në Lushnje, që e argëtonin në Lushnje.
Këto dy javë treguan dhe diçka shumë të rëndë: Edi Rama dhe Fatmir Xhafa nuk mund të luftojnë ligjin.
Policia e Edi Ramës ka kapur vetëm dy fshatarë me 130 gr marihuanë që u përpoqën t’i shisnin si koka trafiku droge, duke arrestuar dhe disa gra në Shkodër për prostitucion.
Policia e Xhafajt është riaktivizuar duke zëvendëusar luftën kundër krimit me teatër. Shfaqja më e shëmtuar ishte lotaria për shoferët dhe videoklipi i festës. Kur Rama ishte i zënë duke bërë videoklipet, shpërthen makina në Vlorë dhe bëhet luftë mes bandash.
Grupet kriminale vazhdojnë pa i hyrë gjemb në këmbë, trafikun e drogës. Policia greke e tha qartë se skafi me 1.6 ton drogë u kap vetëm kur ata vendosën të mos njoftonin autoritete shqiptare, vendosën të mos njoftonin këtë.
Droga nuk ka mbaruar. Krimi nuk ka mbaruar. Shteti dhe qeverisja e Edi Ramës kanë mbaruar. Kambanat e alarmit bien anembanë Europës, Edi Rama vazhdon të drejtojë gishtin nga opozita. ”