Zyra e FRPD-së pranë selisë së PD është e hapur për të mbledhur dhe shpërndarë ndihmat e ofruara.
Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi së bashku me kryetarin e Forumit Rinor të Paskuqanit dhe anëtarë të FRPD-së, ishte pranë familjeve të përmbytura në zonën e Babrrusë, Kodër të Kuqe dhe Paskuqan.
Të rinjtë demokratë shpërndanë ndihma ushqimore për familjet e prekura nga përmbytjet për t’u ardhur sado pak në ndihmë në këto ditë të veshtira, ku varfërisë ekstreme të tyre, u janë shtuar dhe përmbytjet që kanë shkatërruar dhe ato pak gjëra që kishin.
Pa ujë dhe drita prej 3 ditësh, këto familje janë braktisur tërësisht nga shteti.
Këlliçi u bëri thirrje të gjithë të rinjve, jo vetëm anëtarë e simpatizantë të FRPD-së, por të të gjitha forumeve rinore dhe atyre të paangazhuar, të solidarizohen me banorët e përmbytur duke dhuruar, në bazë të mundësive të gjithkujt, diçka për t’u ardhur në ndihmë.
Zyra e FRPD-së pranë selisë së PD është e hapur për të mbledhur dhe shpërndarë ndihmat e ofruara. “Sot bashkëqytetarët tanë kanë nevojë për ne, prandaj t’u gjendemi pranë me sa mundësi kemi. Sot ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë, ndaj secili të mendoje si për familjarët e tij” – theksoi Këlliçi.