Kokedhima: Qeveria të dëmshpërblejë njerëzit deri në qindarkën e fundit

0
190

Reagimi i kryetarit te ZGJIDHJA-s per permbytjet

Qeveria ia doli që për herë të parë në histori t’i bëjë banorët e Tiranës të lundrojnë me varka në rrugët e kryeqytetit dhe bizneset e autostradës të mbulohen me ujë deri në kat të dytë. Kanë mjaftuar vetëm pak orë shi që fasadës së qeverisjes së Ramës t’i dalë boja dhe të gjithë shqiptarët të kuptojnë se paratë që janë mbledhur nga taksat e tyre janë shpërdoruar.
Mbi 38 miliardë lekë që janë shpenzuar për Rilindjen Urbane, kanë ndikuar për keq edhe në infrastrukturën kulluese e kanalizimet e autostradës, duke shkaktuar miliarda lekë humbje vetëm në 48 orët e fundit. I gjithë sistemi i kanalizimeve jo vetëm që nuk është rehabilituar, por është shkatërruar fare.
Që prej dhjetorit të vitit 2015, është bërë kalimi i menaxhimit të rezervuarëve te bashkitë që janë përgjegjëse për territorin përkatës. Rezervuarët, përpara se të fillonin shirat duhet të ishin të boshatisur, që të përballonin intensitetin e reshjeve të paralajmëruara. Por menaxhimi i tyre nuk ka qene prioritet i bashkive. Bashkia e Tiranës, pak javë më parë vendosi të investonte 2.5 milionë euro për zëvendësimin e palmave të dështuara të Ramës me pisha të buta në segmentin e autostradës Tiranë- Kashar në vend të investonte për shmangien e kësaj tragjedie të paralajmëruar. Uji, errësira, kaosi dhe paniku mbuloi edhe zonën më strategjike të ekonomisë të Shqipërisë dhe Aeroportin e Rinasit.
Rama thotë se kjo është situatë e jashtëzakonshme e natyrës për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Kaq shi sa ra në Tiranë është në parametrat normal të stinës. Por nëse për natyrën këto ishtin ditë “normale” për këtë stinë, për qindra mijëra shqiptarë dita e djeshme u kthye në një ferr të vërtetë. Tiranën në të vërtetë e mbytën analfabetët funksionalë në politikë.,Edi Rama dhe Erion Veliaj. Ata nuk kanë haberin nga punët dhe përgjegjësitë e qeverisë.
Në ultësirën e Shkodrës, Lezhë, Vlorë, Fier, Gjirokastër etj, situata është edhe më katastrofike. Mbrëmë Vjosa ka dalë nga shtrati. I vetmi plan që ka qeveria është evakuimi i pëkohshëm i banorëve. Nga ana tjetër nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse nuk dëshiron të kompensojë banorët dhe bizneset për dëmet e pësuara. Paratë i duhen për koncesionet antipopullore të oligarkëve të Rilindjes!
ZGJIDHJA i kërkon Ramës që të kompensohen të gjitha dëmet e përmbytjeve, absolutisht të gjitha deri në qindarkën e fundit! Ai edhe në këto ditë të vështira nuk merret me zgjidhjen e problemeve por me propagandë. Siç përdor gazetarët dhe pronarët e blerë e të kapur, ka lëshuar të gjithë fëlliqësit e tij në rrjetet sociale të sulmojnë dhe konfuzojnë, manipulojnë e dezinformojnë sa dhe kë të munden. Kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se përmbytjet janë punë të Zotit, jo faje të qeverisë, se kundërshtarët “cinikë” të tij kërkojnë të bëjnë politikë me fatkeqësinë, se kjo situatë ndodh edhe në vendet e tjera dhe se ai është i pafajshëm!
Një muaj më parë ne i kërkuam kryeministrit që të merrte masa urgjente për përmbytjet që po vinin. Raporti Botëror i Riskut paralajmëroi se Shqipëria rezulton vendi më i rrezikuar në Europë nga fatkeqësitë natyrore sepse vendi ynë ka bërë hapa prapa dhe është në nivel, “ku thërret qameti”, për sa i përket aftësisë për menaxhimin e këtyre situatave nga ana e qeverisë krahasuar me çdo shtet tjetër.
ZGJIDHJA do të ndryshojë me themel këtë qeverisje. Vetëm me ZGJIDHJA-n në pushtet shqiptarët do të shpëtojnë nga përmbytjet dhe katastrofat. Në fokus të politikave të saj do të jenë infrastruktura mbrojtëse e kulluese, kanalizimet, menaxhimi i argjinaturave të lumenjve, vënia nën kontroll të plotë e ujërave pavarësisht prurjeve, riorganizimi, fuqizimi dhe modernizimi i strukturave të emergjencës, në mënyrë që vendi të jetë gjithnjë i përgatitur për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore.
ZGJIDHJA fton popullatën e pambrojtur që të mbajë shënim dëmet dhe shkaktarët. Të mos mallkojmë natyrën. Duhet tu kërkojmë llogari politikanëve të korruptuar të të gjitha krahëve që vodhën gjithçka 25 vite me rradhë dhe e braktisën popullin në mëshirë të fatit. Njerëzit duhet të kërkojnë vendosmërisht nga qeveria dhe të përfitojnë dëmshpërblimet deri në qindarkën e fundit.
#ZgjidhjaPërQytetarët

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here