Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Pallatin e Sportit në Vlorë, i cili është bërë gati për të pritur personat e evakuuar nga zonat e përmbytura. Optimist për situatën është shprehur jo vetëm kryeministri por edhe përfaqësues të shtabit të emergjencave e drejtues lokalë.
Si rrallë herë Vlora këtë vit nuk ka pësuar përmbytje deri më tani. Gjatë vizitës nuk kanë munguar batutat e kryeministrit. Ai i ‘qau hallin’ ministres së Mbrojtjes se kishte 48 orë pa gjumë, duke i njohur meritat për bashkëpunimin dhe punën e bërë nga FA-të.
Rama tha se megjithëse reshjet dhe prurjet e Vjosës kanë qenë më shumë se në 2015, nuk ka asnjë jetë të humbur por as bagëti.
“Krahasuar me 2015-ën reshjet janë shumë më tepër, Vlora si Vlorë nuk ka pasur asnjë problem për shkak të investimeve që kemi bërë dhe ndërhyrjeve në infrastrukturë. Jo asnjë jetë njeriu por asnjë kokë bagëti e humbur, as në Fier, as në Vlorë. Pesëfishuam forcat për ta përballuar situatën. Jemi në kushtet kur nuk kemi asnjë humbje, jo në jetë njerëzish por as në krerë e shpendë siç ndodhi në 2015 që ishin qindra e qindra. Ka pasur superkoordinim. Ka një meritë të veçantë edhe ministrja. Është 48 orë pa gjumë. Edhe prefektët e rinj me eksperiencë të madhe kanë bërë një punë të shkëlqyer. Shpresojmë të mbyllet sipas parashikimeve. Megjithëse sipas parashikimeve e ka kaluar masën e 2015. Në 2015 ka qenë 7.8-8.2 ndërsa mbrëmë e kaloi 9 metër. Na dha shumë dorë mirëorganizimi. Nuk janë as argjinaturat as kanalizimet që mbrojnë jetët e njerëzve. Unë iu jam mirënjohës të gjithëve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se edhe deputetët e PS-së kanë bërë punë në terren dhe kanë qenë pranë njerëzve. “Kjo është një vlerë e shtuar, morale në radhë të parë por edhe në funksion të punës së përbashkët. Ju gazetarët e Vlorës që jeni balli i kazanit të padurimit edhe ju e shikoni punën e s’keni ç’të thoni këtë herë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Lidhur me ndërtimet në Vlorë, Rama tha se “ne kemi filluar të marrim masa edhe për verën e ardhshme. Nuk do falim më asnjë se përfituan nga qeveria teknike vjet”