Erdhi koha e keqe. Vetëm dy tre ditë shi pa ndërprerje dhe ngrehina prej kartoni e infrastrukturës shqiptare u shqye në mes.
Dalin menjëherë në sipërfaqe paratë e vjedhura në tendera dhe në punime mizerabël, të shtrenjta në letër dhe të grabitura në terren. Histori e vjetër tashmë kjo, që përsëritet vit pas viti dhe qeveri pas qeverie, gënjështër pas gënjeshtre dhe mashtrim pas mashtrimi.
Ngjyrat e qeverisjeve ndryshojnë, por era e keqe mbetet gjithmonë e njejta, njësoj sikundër lyen me bojë një stallë derrash, pa pastruar jashtqitjet e tyre.
Tashmë jemi mësuar me Shqipërinë që kemi, në rrugë, në kthesë, në urë apo mbas qafe.
Por na duhet të dëgjojmë edhe Shqipërinë që duam, por që nuk e kemi, Shqipërinë e fjalimeve kryeministrore, të të gjithë kryeministrave që shkojnë e vijnë e që lenë pas, nga një kujtim të bukur e të bollshëm te stalla e derrave.
Por ja bie shiu dhe shplan bojën e paturpshme të llafeve, të djathta e të majta dhe shohim shqiptarët e shqiptarkat që luftojnë me vërshime kërcënuese andej nga nuk ua pret mendja.
E nga të ruhen më parë shqiptarët, në mbretërimin e plotë të pasigurisë që i rrethon?
As ata nuk dinë se si ia dalin, të gatuajnë në paqe të përditshmen e tyre, që sundohet vetëm nga një ide fikse: Si dhe kur do të largohemi një ditë nga ky vend i grabitur nga ca të paktë? /360grade.al/