Pas përmbytjeve, Emergjencat Civile japin alarmin: Kujdes nga rrëshqitja e dherave

0
161

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ka lëshuar një deklaratë pas përmbytjeve që kaloi vendi ditën e fundit si pasojë e shirave, duke vënë në dukje rrezikun nga rrëshqitjet e dherave dhe shkëmbinjve, si rezultat i erozionit të shkaktuar nga shpyllëzimi dhe prezenca e lartë e ujërave nëntokësorë e sipërfaqësorë.

Problematike paraqitet rrëshqitjet në Brataj të Vlorës dhe në Pogradec. Për parandalimin e dëmeve të mundshme, zonat e rrezikuara pranë vendbanimeve dhe akseve rrugore po inspektohen nga autoritetet në mbarë vendin dhe po merren masat përkatëse.

EC i bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në zonat me risk të lartë erozioni.

Në Tiranë dhe Fier vijojnë të jenë të akomoduar në qendrat rezidenciale sociale 70 qytetarë të evakuuar.

Sipërfaqja nën ujë është reduktuar në rreth 4,000 ha, nga mbi 10,000 ha toka që u përmbytën. Zonat më të prekura janë në Fier, Lushnje dhe Vlorë.

Pas tërheqjes së ujërave, strukturat shtetërore kanë filluar dezinfektimin e banesave, qendrave shëndetësore, shkollave, baxhove, thertoreve dhe minimarketeve, në bashkitë Gjirokastër, Vlorë, Berat, Urë Vajgurore dhe Krujë.

Sa i përket akseve kombëtare, EC njofton se janë të hapura. “Në disa rrugë rurale vijon puna për zhbllokimin e tyre. Përuruat dhe segmentet rrugore që kërkojnë ndërhyrje afatgjatë, ka nisur vlerësimi inxhinierik, në bashkëpunim edhe me një ekip ekspertësh nga Italia”.

“Mësimi nuk është zhvilluar në 13 shkolla. Janë marrë masat që nesër të rifillojë mësimi edhe në 6 shkolla të tjera. Furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur. Në zonat e prekura ka nisur shpërndarja e ndihmave. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon qytetarët, bizneset dhe partnerët ndërkombëtarë, që kanë shprehur gatishmëri dhe i kanë ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur. Rikujtojmë se janë hapur llogari bankare për këdo që dëshiron të kontribuojë dhe se në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur qendra e pritjes dhe e administrimit të ndihmave”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga EC.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here