Përmbytjet, 100% faji i menaxhimit qeveritar

0
187

Nga Ilir Sinanaj

Mjaftoi pak shi stinor, që e karakterizon fillimin e dimrit, dhe Shqipëria nga veriu në jug përjetoi një situatë emergjence, që u desh të angazhohej me kuç e maç e gjithë makineria ‘e vobektë’ shtetit shqiptar, për t’u ballafaquar (parimisht dhe në dukje) me rrugë e shtëpi të përmbytura, vepra infrastrukturore të shkatërruara dhe me qytetare që humbën të mbjellat, gjënë e gjallë dhe pasurinë e tyre. Si ka mundësi, në kohën e teknologjisë së informacionit, kur njerëzimi po dërgon raketa në hapësirë dhe në trupa të tjerë qiellorë, që në rreth 28 mijë kilometra katror, që është territori i Republikës së Shqipërisë, mjafton të bjerë pak shi dhe i gjithë vendi pllakoset nga katastrofa ekonomike dhe shkatërrimi i pasurisë. Dhe për më tepër kjo është diçka që po ndodh shpesh gjatë këtyre 10 viteve të fundit. Çdo herë nga periudha e dimrit Shqipëria ka filluar të përmbytet. Kjo gjë sikur nuk ndodhte më përpara… Po pse përmbytet Shqipëria, thjesht nga reshjet stinore që janë mëse normale? Përgjigja shihet qartë në mënyrën sesi mediat raportuan për situatën e shkaktuar nga përmbytjet dhe mënyra sesi politikanët tanë në pushtet reaguan gjatë kësaj situate. Në media nuk kemi asnjë analizë të thelluar se çfarë po bëhet me kanalet kulluese në mbarë vendin; në çfarë gjendje janë ato; si janë mirëmbajtur (nëse një gjë e tillë ka ndodhur); sa efikase janë ato për të përballuar nevojat e veprimtarisë njerëzore në rritje. Në media nuk kemi asnjë analizë të thelluar për mënyrën sesi po mirëmbahen lumenjtë dhe sesi po mbrohen pyjet, për të shmangur përmbytjet dhe erozionet. Në media nuk kemi asnjë informacion për një plan për të përballuar emergjencat civile dhe çfarë fondesh janë vënë në dispozicion nga qeveria për të tilla raste. Asnjë informacion të vlefshëm nuk ka publiku shqiptar në lidhje me këtë. Për më tepër, për sa u tha më lartë, asnjë politikan me pushtet nuk ka dhënë informacione të vlefshme mbi sa u tha më lartë. Tani vijmë se çfarë pamë nga reagimi politikanëve në pushtet gjatë këtyre përmbytjeve. Ajo që u vu re më shumë ishin fotografi dhe deklarata me buzëqeshje, ku tek këto të fundit mbizotëroi një humor i turpshëm. Asnjë deklaratë për dëmet ekonomike të shkaktuara, për masat paraprake që ishin ndërmarrë (nëse ishin ndërmarrë) dhe çfarë do të behët konkretisht në të ardhmen, që dëme të tilla të mos ndodhin më. Të mos harrojmë se shumë qytetarëve iu shkatërrua jeta, duke humbur pasurinë. Një gjë që po ndodh çdo vit kohët e fundit. As që bëhet fjalë për përgjegjësi për dëmet e shkaktuara. Faji qenkërka jetim, kur shkatërrohet pasuria e qytetarëve të thjeshtë. Kështu, me çfarë po shohim dhe po dëgjojmë, për sa u përket përmbytjeve, faji për to si edhe për dëmet e shkaktuara është 100% i menaxhimit të qeverisë. Nuk duhet të jesh shkencëtar teknologjie raketore për ta kuptuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here