Rëndësia e auditit në bashkëpunim me partnerët

0
228

Nga Redina KARAPICI

Në procesin e integrim-zgjerimit, Bashkimi Europian i kushton një vemendje të pandërprerë bashkëpunimit aktiv mes institucioneve supreme të auditimit të vendeve anëtare, kandidate, ose në procesin e stabilizim-asocimit dhe qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është që unioni të ketë një informacion të plotë për mënyrën si administrohen fondet e dhëna për zbatimin e projekteve për zhvillim në vende të caktuara. Një rol të tillë, enkas eurokontrollues luan edhe institucioni EUROSAI, që bashkon Zyrat Supreme të Auditit (SAI) në vendet partnere përmes auditimit në bashkëpunim. Këtij qëllim i shërbeu edhe seminari i zhvilluar në Pragë më 14-15 nëntor 2017, nën kujdesin e EUROSAI, me temë “Auditimet në bashkëpunim”.

Në seminarin e Pragës morën pjesë rreth 60 perfaqësues nga 18 Zyra Supreme të Kontrollit përfshi KLSH, nga Gjykata Europiane e Auditit (ECA) dhe IDI Organizata per Zhvillim e INTOSAI-t.  Pjesemarresit në Seminar përfaqësonin SAI-t e Gjermanisë, Çekisë, Polonisë Suedisë, Zvicrës, Shqipërisë, Hungarisë, Sllovakisë, Turqisë, Estonisë, Finlandës, Lituanisë, Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë, Irlandës, Kazakistanit dhe Perusë. Gjatë punimeve të seminarit u paraqitën 16 prezantime përvojash nga auditimet në bashkëpunim ndëmjet SAI-ve partnere.

 

Mikpritësja organizatore e seminarit, Zyra Supreme e Kontrollit të Republikës Çeke prezantoi projektin më të fundit të Bashkimit Europian BIEP. Në bazë të kësaj nisme qëndron zbatimi i parimit: “Komunikim, Bashkëpunim dhe Krahasim”. Ky projekt është një mënyrë efektive për të shpërndarë informacione të rëndësishme nga auditimi, të dhëna të besueshme dhe të dhëna të veçanta numerike mes SAI-ve partnere. Informacionet e shkëmbyera janë shumë të vlefshme sepse ato mundësojnë të bëhet krahasimi i praktikave më të mira audituese nga Zyrat Supreme të Auditit të vendeve të ndryshme partnere. Nëpërmjet shkëmbimit aktiv të këtyre të dhënave, SAIt kanë mundësinë dhe zhvillojnë edhe një metodologji të përbashkët auditimi. Meqenëse BIEP (Komunikimi, Bashkëpunimi, Krahasimi) bazohet përgjithësisht në krahasimin e standardeve, produkti i kontrollit identifikohet si një praktikë nxitëse dhe pozitive në administratën publike. Kjo ndihmon në fakt në identifikimin e një praktike deri më tani si më e mira e mundshme për ta ndjekur.  Përmes metodologjisë që ofron BIEP (komunikim bashkëpunim krahasim) informacioni që grumbullohet merr një vlerë të madhe dhe zbatimi i saj në punën audituese rrit ndjeshëm vlerën e rezultateve të Zyrave Supreme të Auditit në vendet partnere.

 

Përfaqësuesi i Gjykatës Europiane të Audituesve me qendër në Luksemburg u bëri të njohur pjesëmarrësve në seminarin e Pragës bashkëpunimin e frytshëm, që ka ky  institucion me çdo Zyrë Supreme Auditi të vendeve anëtare, të cilat janë nën auditim për përdorimin e fondeve për projekte të caktuara zhvillimi, të akorduara nga Bashkimi Europian. Gjatë auditimeve në vendet anëtare, Gjykata Europiane e Audituesve fton për pjesëmarrjen e tyre edhe Zyrat përkatëse Supreme të Auditit, në mënyrë që të fitohen të dhëna sa më të gjera dhe të plota, çfarë është më e rëndësishmja, informacione të sakta. Gjithashtu, gjatë prezantimit, u soll në vëmendje të pjesëmarrësve Projekti “PPA II” dhe konkretisht auditimi paralel me temë “Cilësia e Ajrit në vendet e Europës”, i kryer në një sërë vendesh, auditim ku po merr pjesë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në seminar është diskutuar edhe modeli ndihmës, që u ofrohet SAI-ve partnere gjatë auditimeve në fushat si: lufta kundër varfërisë, mbledhja e të ardhurave, ndihmat në bujqësi dhe menaxhimi i katastrofave. Sfidat kryesore në misione të tilla kanë të bëjnë me diferencat mes kornizave institucionale dhe kapaciteteve konkrete të Zyrës Supreme të Auditit të një vendi të caktuar, angazhimet dhe gadishmëria e tyre, konfidencialiteti dhe kërkesat ligjore, ndryshimet në grupet e auditimit gjatë një misioni, koha e publikimit të raporteve dhe shtrirja e strategjive, etj. Me mjaft interes u prit edhe përvoja që Zyra Supreme e Auditimit të Konfederatës Zvicerane solli në seminar nga auditimi paralel me temën “Menaxhimi i procesit të Pasaportave Biometrike”. Ky auditim u realizua në Belgjikë, Letoni, Lituani, Norvegji dhe në Portugali, nën drejtimin e SAI zviceran. Prezantimi u fokusua në mënyrën, se si kishte nisur ky bashkëpunim, si dhe në përgatitjen e të gjitha fazave të auditimit, që nga skedulimi i kalendarit, hartimi i programit të auditimit dhe paraqitja e rezultateve të përgjithshme. U përmendën edhe disa nga përfitimet e grupeve të auditimit gjatë këtij bashkëpunimi dhe ndihma e madhe nga përdorimi i teknikave “ COBIT”.

*  *  *

Lidhur me temën e auditimit paralel, “Menaxhimi i procesit të Pasaportave Biometrike”, është me interes të dihet, se kjo temë u përcaktua nga rëndësia, që i kushton çështjes “ETIAS”, Sistemi Europian i Informacioneve të Udhëtimit dhe Autorizimit. Ky pritet të jetë një “hap i ri masash”, për shtetasit e më shumë se 60 vendeve, që kanë hequr regjimin e vizave me BE. Por ETIAS nuk është izolim, thotë Brukseli. ”Sistemi Europian i Informacioneve të Udhëtimit dhe Autorizimit” nuk do të thotë rikthim i vizave!”. Ky ishte edhe mesazhi i komisionerit të BE për Punët e Brendshme. Sigurisht, për të qetësuar shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shtetasit e këtyre vendeve, pra edhe ata shqiptarë, janë të interesuar për masat e reja të përfshirjes në zonën Shengen, sepse është paralajmëruar një dokument i ri i domosdoshëm për futjen në vendet e zonës, dokument që ka të bëjë me kontrollin sipas teknikave të manualit COBIT. Por fjala është vetëm për kontroll shtesë dhe sipas ekspertëve lëvizja e lirë dhe liberalizimi i vizave për Ballkanin Perëndimor (shtetasit e Kosovës ende nuk e gëzojnë) janë “hapa historikë”, të cilat nuk kontestohen” nga masat për kontrollet shtesë. ”Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm dhe partner i afërt me Bashkimin Europian. Qëllimi është ta ruajmë këtë afërsi, pikërisht me masa për lëvizjen më të lehtë dhe kontakte më të shpejta mes shtetasve europianë dhe Ballkanit Perëndimor”, theksohet në deklaratën e komisionerit të BE. Ndërsa sistemi i ri ETIAS u propozua para një viti, si pasojë ardhjes më masive të personave pa viza në BE. Qëllimi i këtyre masave është, që të forcohet sistemi europian i administrimit të kufijve dhe migrimit, në të mirën e BE dhe të vendeve, që nuk kanë nevojë për viza. ETIAS nuk është rikthim i procedurës së vizave.

* * *

Nga prezantimi i KLSH, pjesëmarrësit në këtë seminar u njohën me mënyrën e funksionimit dhe aktiviteteve kryesore të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe me përvojën e deritanishme, që ka fituar dhe shkëmbyer institucioni ynë në auditimet paralele me institucionet homologe. Në seminar u paraqitën në mënyrë të detajuar, temat e auditimeve paralel që ka zhvilluar KLSH, SAI-t me të cilat ka bashkëpunuar, mënyrën se si janë zhvilluar auditimet hap pas hapi, si dhe përfitimet që grupet e auditimit kanë pasur nga këto bashkëpunime. Pjesëmarrësit u informuan edhe me disa nga rezultatet paraprake të auditimit paralel ende në proces, me temën “Cilësia e ajrit në vendet e Europës”.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj veprimarie me përmbajtje profesionale e zhvilluar në Pragë ishte shkëmbimi ideve dhe përvojave për përzgjedhjen e temave sa më të përshtatshme mbi auditimet paralele dhe përcaktimi i gjërave më të rëndësishme në fazën përgatitore të auditit.

Shembuj nga praktikat më të mira, si dhe përvojat më të pasuksesshme të SAI-ve pjesëmarrëse. Çfarë duhet të përmbajë një raport auditi në mënyrë që të ketë impakt dhe cilat janë mënyrat që e bëjnë auditimin paralel të dështojë, përkatësisht metodologjia, që e bën të suksesshëm. Seminari ishte jo vetëm i dobishëm, por edhe shumë i rëndësishëm, sepse trajtoi një zhvillim të ri në punën e SAI-ve, bashkëpunimin aktiv në auditime. Përfitimet nga takime të tilla profesionale janë, sepse nëpërmjet tyre mbështetet dhe nxitet jo vetëm zhvillimi i procesit të “auditit paralel në bashkëpunim”, por dhe forcimin e kapaciteteve administrative për çdo SAI. Shumëfishon efektin e auditit të kryer dhe ndihmon në zgjidhjen, sidomos të problemeve me karakter ndërkombëtar, çfarë është në vemendje parësore të BE Ndihmon në adresimin në mënyrë korrekte të këtyre problemeve dhe siguron informacione të besueshme e të sakta për OJF dhe vëzhguesit, duke rritur kështu edhe besimin e publikut vendas dhe europian tek institucionet kombëtare dhe europiane të kontrollit.   Me nxitjen e reformave të integrimit, BE mbështet vendin tonë, që ky të shkojë në një stad të ri zhvillimi të përshpejtuar dhe për të bërë të mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin. Në këtë proces, KLSH ka pjesën e vet shumë të përgjegjshme, që materializohet në mënyrë aktive në pjesëmarrje nismash dhe praktikash frytdhënëse pune si “auditi në bashkëpunim”, pjesë e të cilit ishte edhe ky seminar në Pragë. Duke përmbushur dhe çdo detyrim në  këtë proces të integrimit, Shqipëria dhe qytetarët e vet presin bashkëngjitjen e kandiduar për të marrë statusin e plotë të anëtarit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here