Albaleaks në çështjen Tahiri: Rama e dinte

0
181
Në një mbremje me shi, disa ditë më parë dikush ka futur nën derën e redaksisë së Exit.al një zarf i cili përmban fotokopjen e pjesshme të një dokumenti që duket shumë i rëndësishëm për të sqaruar atë që ka ndodhur kohët e fundit në rrethet e larta të vendit.

Shpesh ndodh që nëpër redaksi të vijnë emaile anonime që denoncojnë krime apo komplote politike të paimagjinueshme, apo propozojnë artikuj të çuditshëm, apo të telefojnë persona të panjohur që propozojnë histori apo bashkëpunime të mundshme. Edhe politikanëve u ndodh ndonjë gjë e ngjashme, provë e kasaj është tashmë qytetari dixhital i Sali Berishës.

Ne të Exit.al në vend të qytetarit dixhital na kontaktoi një “qytetar fotokopjues”, formë më e vjetër se ajo dixhitale.

Por edhe nëse analiza e burimeve është detyrë e gazetarit, ajo që na çuditi ishte përmbajtja e këtyre fotokopjeve.

Bëhet fjalë për 21 faqe të njëpasnjëshme të fotokopjuara nga një dokument me 34 faqe, mungojnë dy faqet e para dhe 11 faqet e fundit. Fletët e fotokopjuara nuk kanë as kokë, as datë, as vulë.

Faqet përmbajnë një listë me të dhënat e 61 shkresave informuese zyrtare, përfshi datën, numrin e protokolllit dhe lëndën përkatëse të çdo shkrese, e cila në të gjitha rastet është përshirje e punonjësve të policisë në kultivimin e kanabisit ose tregtimine drogës.

Të gjitha shkresat në pjesën e listës që na është dhënë janë dërguar mes marsit 2016 dhe marsit 2017, (11 fletët e munguara në fund duhet të jenë të periudhës pas marsit 2017).

Edhe pse nuk ka asnjë të dhënë mbi institucionin dërgues, lista jep emrin e institucionit apo institucioneve që ajo i është dërguar, që sipas rastit është njëri, dy apo të tre institucionet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, dhe Shërbimit për Çëshjet e Brendëshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendëshme—të referuara në listë me inicialet e tyre, përkatësisht PKR, DPSH dhe SHBÇA.

Çdo shkresë përmban një apo disa emra dhe të dhënat përkatëse personale të punonjësve të policisë, të cilët hartuesit e saj i akuzojnë për përfshirje në kultivimin dhe trafikun e drogës, si dhe njësinë policore dhe postin që ata kanë në momentin e dërgimit të shkresës.

Një pjesë e emrave të punonjësve të policisë janë përmendur më shumë se një herë për episode të ndryshme të kultivimit apo trafikimit të narkotikëve. Mes tyre janë edhe emra të njohur të kronikave të kohëve të fundit, përfshi ato tre policëve në kërkim, Sokol Bode, Joel Celaj dhe Gjergj Kohila të cilët përmenden disa herë duke filluar nga prill 2016, sikurse emra të tjerë të përfshirë në hetimet ndaj policisë së Vlorës.

 

Nga bisedat me punonjës të çështjeve të sigurisë dhe të policisë kuptohet se me shumë gjasa, lista është një listë përmbledhëse e sinjalizimeve (informimeve zyrtare) të dërguara nga shërbimi i inteligjencës, SHISH, vetëm gjatë periudhës mars 2016 — mars 2017 mbi personelin e policisë të dyshuar (kujtojmë se bëhet fjalë për dyshime dhe jo domosdoshmërisht prova) për bashkëpunim me trafikun e narkotikëve, kryesisht kanabisit.

Bëhet fjalë për 127 emra, disa prej të cilëve të sinjalizuar më shumë se sa një herë në hetime të ndryshme, të cilët i janë referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda (PKR) ose Drejtorisë së Policisë së Shtetit (DPSH) ose Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendëshme (SHÇBA).

Sipas ekspertëve të sigurisë, një kopje e çdo informacioni apo referencë e shërbimeve të inteligjencës, përveçse në zyrat e referuara më lartë, i dërgohet pa përjashtim Këshillit të Ministrave, pra Kryeministrit.

Kjo do të thotë se të paktën që nga prill i vitit 2016, Kryeministri Edi Rama ka marrë një sërë informacionesh nga SHISH të cilat tregojnë përfshirjen e thellë të punonjësve të policisë dhe të Ministrisë së Brendëshme në sistemin e prodhimit dhe trafikimit të drogës.

Por qeveria e tij nuk ka marrë asnjë masë veprimi gjatë kësaj periudhe mbi këto çështje dhe, akoma më pak, e ka bërë një gjë të tillë Ministria e Brendshme. Përkundrazi si Ministri i Brendshëm si Kryeministri u angazhuan në maksimum për të mohuar çdo gjë, madje ndonjëherë edhe për të dekonspiruar aksionet e Prokurorisë.

Ky dokument, të cilin nuk mund ta publikojmë të gjithin për të shmangur ndërlikime të panevojshme nisur nga fakti se informacionet nuk janë prova nëse nuk verifikohen, është preshi në duart e Kryeministrit në lidhje me rastin e Tahirit: Kryeministri Edi Rama e ka ditur shumë mirë, të paktën prej shumë muajsh, sepse ishte i informuar nga SHISH, përfshirjen e gjerë të organeve të policisë në prodhimin e kanabisit, dhe për gjatë gjithë kohës u la atyre rrugë të lirë, pa dashur të ndërhyjë asnjëherë.

Ndërsa tani ai deklaron publikisht se përgjegjësia e Tahirit, nëse do të faktohet në gjykatë, është vetëm përgjegjësi personale e vetëm Tahirit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here