Marrëveshja/ Nga janari 2018, dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore

0
266

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, mbajtën sot një konferencë të përbashkët për shtyp, për të ndarë me publikun nismën më të fundit të dakordësuar mes të dy institucioneve, në kuadër të masave për luftën kundër informalitetit në ekonomi, por edhe të strategjisë së përbashkët për reduktimin e nivelit të kredive me probleme në ekonomi.

Kompanitë e biznesit do të detyrohen të mbajnë një bilanc të vetëm, i cili do të jetë i përputhur me deklarimin e tyre në tatime, duke frenuar abuzimin me bilancet fiktive, që nga njëra anë nxisin shmangien e detyrimeve tatimore reale dhe nga ana tjetër, ndikojnë në vlerësimin e aftësisë paguese të bizneseve për llogari të kreditimit në bankat e nivelit të dytë.

“Sot është fakt, që kompanitë e mëdha mbajnë dy bilance, një që deklarohet në tatime dhe një që dorëzohet në bankat tregtare për qëllime kredimarrje. Ne kemi marrë angazhim, që kompanive të biznesit t’u njihet vetëm një bilanc zyrtar, që është i përputhur me deklaratën e tyre tatimore. Kryeministri e ka artikuluar si masë në ditët e fundit dhe ne po e avancojmë, besoj do të konkretizohet me të gjitha detajet teknike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë, në një rregullore të posacme, në fillim të vitit 2018” – deklaroi Ministri Ahmetaj.

Ministri theksoi dy aspekte në kuadër të kësaj nisme. “Së pari, reduktimi i nivelit të kredive me probleme në ekonomi. Problematika e kredive me probleme u trajtua gjerësisht gjatë mandatit tonë të parë 2014-2017. Grupi i përbashkët i punës mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë, hartoi një strategji dhe plan konkret veprimi me qëllim reduktimin e NPL, ku një ndër masat e parashikuara ishte pikërisht “Dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore”. Sigurisht që ky plan masash është konsultuar në masë të gjerë edhe me bankat e nivelit të dytë dhe unë besoj që ky është momenti që të vendoset një normë e re në marrëdhënien mes bankave dhe kompanive të biznesit.

Sot niveli i kredive me probleme është rreth 14.4% (gati 10% më ulet se viti 2013 ku arriti kulmin e 25% të totalit të kredive në ekonomi. Aktiviteti kreditues sigurisht që ka një gjallërim, ende modest gjithsesi, por padiskutim që aftësia paguese e kredimarrësve, është një faktor kyc në sjelljen e bankave në raport me kreditimin. Prandaj, me qëllim frenimin e fenomenti të kredive të këqija, dhe nxitjen e kreditimit të shëndetshmën në ekonomi, ne kemi avancuarkëtë nismë që besoj është një hap tejet i rëndësishëm që ndihmon edhe sistemin bankar që në vetvete përfaqëson sektorin më transparent dhe të formalizuar të ekonomisë.

Dhe ky është elementi i dytë që dua të theksoj. Në këtë fzë aktuale të aksionit tonë kundër informalitetit, ne kemi një fokus të posacëm tek biznesi i madh, duke bërë një skanim të thellë dhe më kompleks të fenomeve të riskut që janë shfaqëur si rezultat i të gjithë analizave tona të deritanishme. Bilancet fiktive janë absolutisht një nga fenomenet kryesore, që jo vetëm shmangin pagesën e detyrimeve tatimore por reflektojnë edhe pasoja të tjera si deklarimi i pagave tejet të ulëta, në raport me referencën e tregut të punës duke sjellë deformime të shumëfishta në treg.

Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë ka vlerësuar me seriozitet dhe ka mbështetur në vazhdimësi nismat e ndërmarra për rritjen e formalizimit të ekonomisë.

“Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme përcaktoi vendosjen e kriterit rregullativ, si një detyrë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, që duke filluar nga viti 2018 veprimtaria e kredidhënies të mbështetet vetëm në deklaratat tatimore. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar edhe më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave. Koordinimi i veprimeve me organet qeveritare dhe veprimet e përshtatshme të ndërmarra, kanë krijuar hapësirën e nevojshme për ta thelluar këtë masë rregullative në një bazë më të gjerë kredimarrësish” – u shreh z. Sejko.

“ Aktiviteti informal imponon kosto të hapura dhe kosto të fshehura për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Ai dëmton shëndetin e financave publike të vendit, rrit barrën e taksave dhe shtrembëron efektin e saj në agjentët ekonomikë, dëmton konkurrencën dhe rrit kostot e veprimtarisë së bizneseve të ndershme, redukton burimet e financimit të bizneseve dhe frenon zhvillimin normal të tyre, si dhe krijon probleme sociale që vijnë nga mungesa, apo mbulimi i pamjaftueshëm, i sigurimit shoqëror dhe shëndetësor.

Nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, si autoritet monetar, dhe si mbikëqyrës e rregullator i sektorit bankar, aktiviteti informal redukton efektivitetin e politikave tona stabilizuese dhe krijon premisa për destabilitet të një apo më shumë segmenteve të sistemit financiar.

Duke u ndalur te çështja e fundit, dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj se ruajtja dhe forcimi i stabilitetit financiar të vendit ka qenë dhe mbetet një objektiv madhor i punës së Bankës së Shqipërisë. Sikundër kemi deklaruar në komunikimet tona, një nga sfidat më të mëdha me të cilat jemi përballur gjatë viteve të fundit, ka qenë përkeqësimi i cilësisë së portofolit të kredisë së sektorit bankar. Ky përkeqësim pasqyroi në vetvete efektin e shumë faktorëve, por ai u ndikua padyshim edhe nga shkalla e lartë e informalitetit në ekonomi. Për të qenë më konkretë, mungesa e transparencës financiare, mungesa apo mangësitë e titujve të pronësisë dhe problemet e hasura në ekzekutimin e kolateralit, kanë kontribuar në rritjen e nivelit të kredive me probleme si dhe kanë qenë një nga penguesit e masave tona, ligjore e rregullative, për reduktimin e tyre.”- tha guvernatori i BSH.

Përtej ndikimit negativ që informaliteti ka dhënë në ecurinë e kreditimit dhe në cilësinë e kredisë, ai ka dëmtuar edhe vetë kredimarrësit, ka nënvizuar Guvernatori. “ Marrja përsipër e rreziqeve përtej kapaciteteve paguese, të paidentifikuara si pasojë e mungesës së qartësisë së pasqyrave financiare, ka shkaktuar edhe dështimin e shlyerjes së kredive duke i përballur kredimarrësit me situata të paparashikuara prej tyre. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar me seriozitet dhe ka mbështetur në vazhdimësi nismat e ndërmarra për rritjen e formalizimit të ekonomisë.”- tha më tej z. Sejko.

“Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme përcaktoi vendosjen e kriterit rregullativ, si një detyrë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, që duke filluar nga viti 2018 veprimtaria e kredidhënies të mbështetet vetëm në deklaratat tatimore. Ky është një nga elementet thelbësore të adresimit të informalitetit, edhe për vetë peshën specifike që zë veprimtaria bankare në ekonominë e vendit. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar edhe më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave. Koordinimi i veprimeve me organet qeveritare dhe veprimet e përshtatshme të ndërmarra, kanë krijuar hapësirën e nevojshme për ta thelluar këtë masë rregullative në një bazë më të gjerë kredimarrësish.”- ka bërë me dije guvernatori.

Përfitimet e masave sipas BSH:

Për industrinë bankare: mbështetja e kredidhënies në deklaratat tatimore lehtëson ndjeshëm procesin e kredidhënies, duke i vendosur bankat në një emërues të përbashkët në leximin e të dhënave financiare. Kjo krijon lehtësi në veprimtarinë e kreditimit, duke i dhënë qartësi të lartë bankave në procesin e analizës financiare dhe përzgjedhjen e kredimarrësve, si dhe në shkëmbimin e informacioneve me njëra-tjetrën për kredimarrës të përbashkët.

Për bizneset dhe familjet shqiptare: ky proces nxit rritjen e transparencës, çka do të përkthehet detyrimisht në uljen e rrezikut të kredisë dhe – ajo që është më e rëndësishme – në uljen e kostos së financimit. Po ashtu, duke krijuar një fushë më të barabartë loje, ky proces rrit konkurrencën dhe eficiencën, çka, në analizë të fundit, ndihmon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Për ekonominë në tërësi: ky proces rrit qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare të vendit, si dhe krijon premisa për një sistem tatimor më të thjeshtë dhe për një shpërndarje më të drejtë të barrës së taksave. /Monitor/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here