Të tjera detaje janë zbuluar nga ekzekutimi i 48-vjeçarit Aleksandër Ndoka në Lezhë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dyshohet se autorët që kanë qëlluar ndaj 48 vjeçarit janë vrasës me pagesë.
Burimet shprehen se nga të dhënat e deritanishme rezulton se autorët kanë qëlluar nga një largësi jo më shumë se dy metra ndaj viktimës dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë përdortur dy armë.
Policia ka sekuestruar gëzhojat në vendin e ngjarjes, kamerat e disa bizneseve, telefonin cellular, ndërkohë që ka marrë në pyetje familjarë dhe banorë të zonës. Mësohet se viktima është gjetur nga të afërm të tij, të cilët më pas kanë njoftuar policinë, ndërsa po hetohet në disa drejtime.
Pas ngjarjes policia ka ngritur postoblloqe dhe grupe kontrolli në pikat kyçe të qytetit, ndërsa grupi hetimor pritet të marrë në shqyrtim pamjet e kamerave të sigurisë që mbulojnë zonën, për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
Në informacionin paraprak të dhënë për ngjarjen policia thotë se më datë 09.12.2017, rreth orës 04:25, Salla Operative është njoftuar se në Lagjen “Nënë Tereza” ka ndodhur një vrasje me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në Lagjen “Nënë Tereza”, ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE, ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.N.,48 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza” Lezhë, i vrare me armë zjarri nga persona akoma të paidentifikuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga D.V.P. Lezhë për kapjen e autorëve, janë dërguar edhe dy grupe të F.N.SH. Shkodër.